Rinas, arrestohen 3 shtetas turq me dokumente falso, sinjali erdhi nga policia franceze

Policia Kufitare e Rinasit ka arrestuar tre shtetas turq që synonin të kalonin kufirin me dokumente të falsifikuara, pas informacionit që kishte marrë nga kolegët francezë.  Madje, njeri prej të arrestuarëve, më i madhi në moshë, H.A, 38 vjeç, dyshohet se kishte ndihmuar dy të tjerët për dokumentet false.

Në njoftimin zyrtar të Policisë thuhet:

Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në vijim të kontrolleve të detajuara të dokumentacionit që paraqesin shtetasit që hyjnë dhe dalin në këtë pikë të kalimit kufitar, bazuar dhe në informacionet e shkëmbyera me partnerët francezë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Last guide" për goditjen e tentativës për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, me dokumente false.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit H.A 38 vjeç, I.C 34 vjeç dhe R.B 19 vjeç, të tre banues në Turqi.

Shërbimet e Policisë, pas informacioneve të shkëmbyera me partnerët francezë, se shtetasi H. A. dyshohej se kishte ndihmuar për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, dy shtetas të tjerë, menjëherë kanë kontrolluar dokumentet e tij dhe të shtetasve I.C. dhe R.B.

Gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë iu gjetën këtyre shtetasve, dokumente identifikimi të dyshuara të falsifikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.