SPAK kërkon Ramazan Rrajën për atentatin ndaj prokurorit! RENEA dhe BKH dalin duarbosh nga Fushë Kruja
Atentati i bujshëm ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja vijon të mos jetë i zbardhur e për pasojë duket se SPAK-u nuk e ka hequr asnjëherë nga lista e personave të dyshuar Ramazan Rrajën.
Ndonëse në pranga për atë ngjarje të rëndë ku u vra një i ri dhe u plagosën dy persona të tjerë mes tyre edhe Ndoja, gjendet pas hekurave kushëriri i tij i parë, Redjan Rraja, SPAK-u pak ditë më parë ka lëshuar një urdhër kontrolli për në banesat e familjes Rraja dhe të disa personazhe të tjerë të njohur në botën e krimit. Ndonëse as SPAK-u dhe as Policia nuk kanë dalë me një version zyrtar për kontrollin me RENEA dhe oficerë të BKH-së, bëhet me dije se në shënjestër ka qenë tentativa për prangosjen e Ramazan Rrajës, i dyshuar dhe i përfolur edhe për ngjarje të tjera të rënda. Por, ai nuk është gjendur në shtëpi e për pasojë, Policia është kthyer me duart bosh si çdo herë tjetër në më shumë se 9 muaj.
Kontrolli
Prokuroria e Posaçme SPAK bëhet me dije se ka lëshuar një mandat shoqërimi për Ramazan Rrajën, nipin e deputetit socialist në Krujë Rrahman Rraja. Mëngjesin e djeshëm, SPAK, RENEA dhe oficerë të BKH-së kanë kryer kontrollin e disa banesave në zonën e Rinasit, Niklës dhe Krujës, me shpresën lokalizimin dhe më pas arrestimin e Ramazan Rrajës.
Ky personazh është shpallur në kërkim qysh prej datës 17 janar 2023, pasi Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e Prokurorisë SPAK, për caktimin e masës së arrestit në burg ndaj Rrajës. SPAK-u pretendon se Ramazan Rraja, kushëriri i tij Redjan Rraja dhe persona të tjerë në qytetin e Durrësit, kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin në atentatin e datës 1 nëntor 2019 në zonën e Sukthit, ku mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku, dhe të plagosur rëndë Landi Muharremi, “Rrumi i Shijakut” dhe ish-prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja.
Ndërhyrja e SPAK-ut dhe RENEA-s, nuk solli asnjë rezultat për kapjen e personit të venë në kërkim. Herën e fundit, Ramazan Rraja, u shpall në kërkim policor pas atentatit të ndodhur në 17 korrik 2022, në mbikalimin e FushëKrujës, ku mbetën të vrarë Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata.
Në atë kohë, Ramazan Rraha ndodhej jashtë vendit. Rraja u shoqërua nga policia e Fushë-Krujës mesditën e 31 tetorit 2021, kur sapo ishte kthyer në Rinas me linjën e “Flay Dubai” nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Rraja dha deklarime në lidhje me hetimin e masakrës së 17 korrikut, duke dhënë pretendimet e tij dhe më tej është lënë i lirë. Në 15 nëntor 2022, Ramazan Rraja dhe tre persona të tjerë shokë të tij, janë shoqëruar në policinë e Tiranës dhe marrë në pyetje lidhur me trajektoren e lëvizjes së tyre, dhe pronësinë e tre automjeteve të blinduara.
Tetor 2022
Prokuroria e Posaçme SPAK i kërkoi Gjykatës së Posaçme që të konfiskojë pasuritë e sekuestruara në 2021 të Redjan Rrajës, i akuzuar për atentatin ndaj ishprokurorit Arjan Ndoja. Mes pasurive të sekuestruara është dhe një makinë, e cila ishte në përdorim të modeles Kejvina Kthjella. SPAK=u kërkoi që shtetit t’i kalojnë një apartament, dy garazhe, dy makina, dy troje, një orë “Rolex” dhe 2750 euro. Redjan Rraja është në burg në lidhje me atentatin e vitit 2019 ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja ku akuzohet për vrasje, armëmbajtje pa leje, grup kriminal, vjedhja dhe kryerja e veprave penale si grup i strukturuar kriminal. Ngjarja ndodhi në 1 nëntor të vitit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës, në afërsi të mbikalimit të Shkozetit. Ditën e ngjarjes prokurori Ndoja ishte në automjet me Landi Muharremin nga Sukthi, i njohur me pseudonimin “Rrumi”, dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i Policisë në Komisariatin e Krujës, shofer i prokurorit Ndoja, i cili mbeti i vdekur.