SYRI TV/ Banesa nën ujë në Shkodër e Lezhë. PD: Situata dramatike. Habit zëvendësi i Pjerin Ndreut: Gjithçka normale!

Shkodra dhe Lezha, janë përmbytur për të tretën herë në pak muaj për shkak të reshjeve, por edhe të shkarkimeve nga hidrocentralet. Banorët fajësojnë keqmenaxhimin e që u bëhet HEC-ve, ndërsa tregojnë se dëmet janë të parikuperueshme. Në Lezhë, u përmbytën rrugët e qytetit si dhe disa zona të Kurbinit. Situata në Lezhë solli replika mes zyrtarëve të bashkisë dhe deputetëve të opozitës.

Syri Tv

Në më pak se tre muaj, Shkodra dhe Lezha janë përmbytur përsëri, ku veç reshjeve të shiut, shkak janë dhe shkarkimet nga Hidrocentralet.

Në Shkodër janë përmbytur më shumë se 1100 hektarë tokë në Njësinë administrative Ana e Malit, ndërsa ujësjellësi Oblikës dhe rruga e Obotit janë jashtë funksionit. 

Banorët në Shkodër thonë se shkak i përmbytjeve janë hidrocentralet, ndërsa dëmet janë të pallogaritshme kryesisht në bujqësi. 

"Kam 4 dynym serë. E gjitha nën ujë. Përmbytja vjen nga HEC-et", thotë një banor. 

Në Lezhë, nën ujë u zgjua lagja “Besëlidhja”, ku uji arrin në disa centimetra në rrugë, duke u futur në banesa apo dhe dyqane.

Banorët shprehen të irrituar me situatën, ndërsa thonë se kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë. 

"Brenda ka hyrë 20 cm ujë, mos më tepër. Shtëpinë e shihni vetë si është situata. Kështu ka ndodhur në 1994", thotë një tjetër banor. 

Ndërkohë për nënkryetarin e Bashkisë Lezhë, Ermal Pacaj, përmbytja është normale, por deputetja e Partisë Demokratike, Lindita Metaliaj e cilësoi situatën si dramatike. 

"Këtu kemi një situatë normale në qytetin e Lezhës. Një ndër rastet kur volumi i lartë i reshjeve sjell përmbytjen e rrugëve, por në momentin që kullimi funksionon gjendja normalizohet. Edhe në fshatra situata është normale". 

 Ermal Pacaj, nënkryetar i bashkisë Lezhë

Situata në qytetin e Lezhës është dramatike, ndër më dramatiket në dekadën e fundit. Në qytetin e Lezhës që sa'ka ndodhur kurrë më parë, përveç në lagjen Besëlidhja, është komplet e bllokuar, as nuk hyn dhe as nuk del dot.

Lindita Metaliaj, deputete e PD

Përmbytje janë regjistruar edhe në zonën e Kurbinit, ku sipas banorëve dëmet janë të mëdha, ndërsa nuk kanë pasur asnjë ndihmë nga bashkia. 

"Kjo përmbytje është bërë që në orën 11 të natës e deri tani. Nuk duhet të pastrohen vetëm ferrat, por të pastrohet dheu për të dalë uji". 

"Uji është brenda nëpër parcela. Shumë shtëpi kanë ujë brenda. Asnjë masë nuk merr bashkia dhe qeveria. Emergjencat Civile s'kanë marrë asnjë masë për ne. Të vijnë të shohin dëmet". 

Shprehen banorët e prekur

Disa rrugë të qyetit të Durrësit, i ngjanin qytetit të Venecias, ku uji arriti në disa centimetra, duke krijuar probleme për kalimin e mjeteve dhe këmbësorëve.

Madje në disa raste, për shkak të kanalizimeve të bllokuara, pati dhe shpërthime të ujërave të zeza në rrugë.