SYRI TV/ Vrasja e Pjerin Xhuvanit, lirohen ish-Zv.drejtorët e Policisë, akuzuar për deklarim të rremë

Gjykata e Durrësit liron dy ish-Zv.Drejtorët e Policisë së Elbasanit të arrestuar për ngjarjen e Elbasanit ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani. Dy ish-drejtuesit akuzohen për shpërdorim detyre dhe deklarim të rremë, pasi fshehën provat.

Nga SYRI TV

Gjykata e Apelit në Durrës ka zbutur masën e sigurisë për ish-Zëvendësdrejtorët e Policisë së Elbasanit, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla, të arrestuar për ngjarjen e Elbasanit në fushatën zgjedhore të 25 prillit.

Dy ish-zëvendësdrejtorët e Policisë së Elbasanit janë marrë të pandehur nga Prokuroria e Elbasanit për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Deklarimit të rremë para oficerit” lidhur me ngjarjen e dy viteve më parë ku u vra Pjerin Xhuvani.

Punonjësit e policisë që ishin në vendin e ngjarjes, përfshirë dhe dy zëvendësdrejtorët dyshohet se kanë dhënë dëshmi kontradiktore në raport me atë që kanë filmuar kamerat e sigurisë, kjo dyshohet që ka qenë edhe  arsyeja e kërkesës, fillimisht të masës  së  sigurisë “arrest në shtëpi” për dy zëvendësdrejtorët, tashmë të zbutur në “detyrim paraqitjeje”.

Më 21 prill 2021, në Elbasan mbeti i vdekur Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë: Eltjon Bodinaku, punonjësja e policisë Xhensila Sota dhe dy anëtarët e grupit të mbrojtjes së votës, Emiljano Prenga dhe Pavlo Vuksani. Ndërkohë, për vrasjen e Xhuvanit, i pandehur është marrë ish-efektivi i Policisë Arbër Papleka.