Ndihma për të papunët, Shqipëria vendi më i varfër krahasuar me vendet e rajonit

Nga Petraq Milo/

Nga të gjitha raportet ndërkombëtare është evidentuar se niveli i varfërisë është thelluar si rezultat i pandemisë dhe rritjes së çmimeve.

Në vendet më të varfëra ajo është thelluar dhe më shumë. Shqipëria mbetet vendi më i varfër krahasuar me vendet e rajonit.

Shtresat më të varfëra të shoqërisë mbas pensionistëve, janë familjet dhe fëmijët e tyre në ngarkim, që përfitojnë ndihmë ekonomike dhe pagesë papunësie.

Këto dy shtresa që përfaqesojnë rreth 17% të popullsisë, jo vetem që jetojnë në kushtet e varfërisë ekstreme, por numri i përfituesve është ulur vazhdimisht, pavarsisht se Shqipëria prej vitesh është në një krizë të rëndë ekonomike dhe sociale.

Personat me ndihmë ekonomike dhe fëmijët e tyre në ngarkim përfitojnë rreth 0.6 USD në ditë, shumë herë më pak se kufiri i varfërisë ekstreme në 2.15 USD në ditë. Numri i familjeve përfituese të ndihmës ekonomike nga « reformat » sociale të Qeverisë është ulur nga 104 398 në vitin 2013 në 63 715 në fund të vitit 2021.

Personat përfitues të pagesës së papunësisë dhe fëmijët e tyre në ngarkim përfitojnë rreth 2.4 USD në ditë, në kufijtë e varfërisë ekstreme në 2.15 USD në ditë. Numri i të papunëve sipas INSTAT është 156 245 persona. Por përfitues të pagesës së papunësisë janë vetëm 2 587 persona ose 1.7 % e numrit gjithsej të të papunëve.

Numri i personave përfitues të pagesës së papunësisë është ulur gjithashtu nga « reformat » sociale të Qeverisë, nga 7 824 përfitues në vitin 2013 në 2 587 përfitues në fund të tremujorit të tretë të vitit 2022.

Të papunët e tjerë jo përfitues të pagesës së papunësisë dhe fëmijët e tyre në ngarkim janë të dënuar të jetojnë në kushtet e varfërisë ekstreme.