SYRI TV/ Banorët e '5 Majit' protestojnë te bashkia e Tiranës, 1 vit pas shembjeve ende rrënoja

Banorët e lagjes “5 Maji”  kanë protestuar këtë të enjte para bashkisë së Tiranës pasi një vit nga shembja e shtëpive, ende nuk kanë marrë asnjë zgjidhje nga ky institucion. Edhe pse ka kaluar një vit nga shembja e shtëpive, në zonë ende nuk janë pastruar rrënojat, ndërsa ndërtimi dhe strehimi mbeten premtim i pambajtur.

Nga SYRI TV

Ndërkohë që bëhet një vit nga shembja e banesave të para në zonën e “5 Majit" banorët ende kanë mbetur pa zgjidhje për çështjen e strehimit. Mungesa e përgjigjes se ku dhe kur do ta marrin shtëpinë, i ka nxitur të protestojnë këtë të enjte para bashkisë.

Por ndërsa ka kaluar 1 vit, ndërtimi nuk ka nisur, madje rrënojat ende janë në zonën ku u kryen shembjet. Banorët nuk pranojnë të firmosin marrëveshjen duke e konsideruar të njëanshme, ndërsa bonusi i qirasë thonë se është i pamjaftueshëm.

Më 19 janar 2022 u shembën shtëpitë e para të banorëve që kundërshtonin projektin në njësinë 4, duke lënë pa strehë rreth 60 familje. Më tej aksioni vijoi në njësinë 8, duke e çuar në total në 165 numrin e banesave të shembura prej të cilave u nxorën jashtë rreth 200 familje.