VIDEO-SYRI TV/ Sako i jep 150 mijë euro Zotos për shërbim të pakryer

Ditën kur deputetja e PL, Monika Kryemadhi publikoi provat filmike që dëshmojnë se inceneratori i Tiranës nuk kryente asnjë nga proceset për të cilat paguajnë qytetarët, Bashkia e Durrësit pagoi edhe 150 mijë euro kompaninë koncensionare. Pavarësisht se  kompania “Integrated Technology BV”, nuk i djeg mbetjet, bashkia e drejtuar nga Emirjana Sako vijon pagesat në llogari të Klodian Zotos

SYRI TV

Bashkia e Durrësit pagoi 150 mijë euro për koncesionarin e Sharrës në 17 janar, pikërisht në ditën kur deputetja Monika Kryemadhi publikoi fakte e prova filmike që dëshmonin se kompania “Integrated Energy BV”, e krijuar nga Klodian Zoto, nuk ofron shërbimin e plotë për të cilin është kontraktuar nga qeveria shqiptare.

Bashkia e Durrësit, ashtu si ajo e Tiranës, e Kavajës dhe e Vorës, paguajnë 29 euro për dërgimin e çdo toni mbeturina në landfillin privat të Sharrës. Kjo tarifë përfshin depozitimin dhe incenerimin e mbetjeve urbane, ku pjesa më e madhe e saj shkon për djegien e tyre.

Por, siç konfirmuan provat e publikuara së fundmi nga deputetja e Partisë së Lirisë, kompania koncesionare me seli në “parajsë fiskale” nuk kryen incenerimin e mbetjeve, pasi impianti përkatës ende nuk ekziston.

Të dhënat e Thesarit dëshmojnë se bashkia e drejtuar nga Emirjana Sako ka paguar në javën e tretë të janarit shumën prej 170 milionë lekë të vjetra për shërbimin e depozitimit të mbetjeve urbane në Sharrë.

Kontrata koncesionare e nënshkruar ndërmjet qeverisë shqiptare dhe kompanisë “Integrated Energy BV” nuk parashikonte fillimisht që në landfillin e Sharrës të trajtoheshin mbetjet urbane të Durrësit.

Por, në qershor të vitit 2020, kryeministri Edi Rama vendosi mbylljen e landfillit të Porto Romanos, duke shkaktuar krizë të thellë mjedisore në Durrës.

Pas këtij vendimi, Rama, nëpërmjet Alqi Bllakos, i cili në atë kohë drejtonte Agjencinë Kombëtare të Mbetjeve, nxitën Bashkinë e Durrësit që të lidhnin kontratë me koncesionarin e themeluar nga Klodian Zoto. Emirjana Sako u bind dhe nënshkroi kontratën, ku parashikohej çmimi 29 euro/ton, në të cilin përfshihej depozitimi dhe incenerimi i mbetjeve urbane.

Tashmë është e qartë se kompania koncesionare nuk i djeg mbeturinat, siç është e qartë se qeveria “Rama” nuk ka ndërmend që të negociojë çmimin, për të ulur pagesën mbi shërbimin e munguar.