SYRI TV/ Skandali me fondet e 'start up'-eve, Bilali: Fituesit i përzgjedh komisioni

Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali, shmangu përgjegjësinë nga vetja, lidhur me skandalin e dhënies së “start up”-ve në konflikt interesi, duke thënë se kjo është një kompetencë e komisionit. Gjatë konferencës me gazetarë,  Bilali deklaroi se janë institucionet dhe jo mediet që përcaktojnë nëse fondet janë dhënë në konflikt interesi.

Nga SYRI TV

Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e  Sipërmarrjes, Edona Bilali zhvilloi një konferencë për mediet  për të  treguar historitë e suksesit me  “start up”-et, por kur u pyet për dhënien e fondeve  në konflikt të pastër interesi, ministrja e largoi  përgjegjësinë  nga vetja, duke ia faturuar akuzat komisionit. Bilali u shpreh se  fondet për “start up” përzgjidhen përmes një komisioni i cili  është ngritur nga Këshilli i Ministrave  duke e deleguar  tjetërkund, përgjegjësinë për dhënien e fondeve te persona të lidhur me  Partinë Socialiste.

Më herët, në media janë publikuar disa raste skandalesh  kur Ministria e Sipërmarrjes i ka dhënë fondet për “start up”-e, individëve apo biznesmenëve me lidhje të forta politike.

Rasti më flagrant është ai i Flladi Agollit, djalit të Dritan Agollit, drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i cili ka përfituar 40 milionë lekë për “start up”-in e tij.