Presidenti i Këshillit Evropian mbërrin në Kiev
Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel udhëtoi për në Kiev të enjten për të diskutuar "masat konkrete" për të mbështetur luftën e Ukrainës kundër Rusisë.
Vizita e Michel vjen pasi Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky u bëri thirrje vendeve aleate që t'i ofrojnë Ukrainës armatim më të fuqishëm, duke përfshirë tanke.
Duke folur në një video të postuar në llogarinë e tij zyrtare në Twitter të enjten, Michel tha se do të shkonte në kryeqytetin ukrainas për t'u takuar me Zelensky, si dhe kryeministrin ukrainas Denys Shmyhal dhe anëtarët e parlamentit.
''Ne e dimë që ukrainasit po rezistojnë, po luftojnë. Ata po luftojnë për tokën e tyre. Ata po luftojnë për të ardhmen dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre”, tha Michel.
Michel paraqiti planin e tij për të diskutuar me Zelenskyn për "masat konkrete" që Bashkimi Evropian mund të marrë për të siguruar që Ukraina të jetë "më e fortë" dhe "më e fuqishme" përballë sulmeve ruse.
“Ata kanë nevojë dhe e meritojnë mbështetjen tonë”, shtoi ai.
Më vonë të enjten në mëngjes, Michel postoi në Twitter një foto të tij duke përqafuar zëvendëskryeministren për integrimin evropian dhe euroatlantik të Ukrainës, Olga Stefanishyna, pasi mbërriti në Kiev.