EMRAT/ Do vrisnin Palucën, kush janë dy shqiptarët e prangosur në Spanjë

Dy shqiptarë të superkërkuar nga Policia e Shtetit janë arrestuar mëngjesin e sotëm në Spanjë. Mediat spanjolle shkruajnë se dy shqiptarët e arrestuar në Barcelonë dhe Madrid janë arratisur nga Shqipëria pasi kërkoheshin për një atentat të dështuar në vitin 2021.

Policia shqiptare ka njoftuar Interpolin në muajin nëntor se ata mund të ndodheshin në Spanjë. Ngjarja për të cilën kërkohen është e bujshme sipas mediave, të cilat nuk japin më shumë detaje por thonë se lidhet me tentativën e vrasjes së anëtarëve të një bande rivale. 

SYRI TV ka mësuar se shqiptarët e arrestuar janë Edmir Vlashi dhe Hektor Ndoka.

 Të dy shqiptarët ishin të shpallur në kërkim nga policia shqiptare për atentatin e dështuar ndaj 51-vjeçarit Prend Paluca në dhjetor të vitit 2021.

Kujtojmë që Vlashi dhe Ndoka janë shpallur në kërkim pas operacionit “Mataro”. Gjatë këtëij operacioni u arrestuan edhe tre persona të tjerë, Mark Lamkja, Nikoll Marku, 62 vjeç dhe Marie Marku, 60 vjeçe si dhe u sekuestruan arsenal me armë, municion, mina me telekomandë, një sasi e konsiderueshme eurosh e përfituar nga veprimtaria kriminale dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Po përse Edmir Vlashi dhe shoku i tij Hektor Ndoka ishin të interesuar të eliminonin Prend Palucën?

Zyrtarisht Prokuroria e Lezhës thotë që Edmir Vlashi, që mban edhe mbiemrin Marku, dhe Hektor Ndoka, që mban edhe mbiemrin Sadiku, po kërkonin të vrisnin Prend Palucën për shkak të një përplasje të lindur jashtë vendit midis Edmirit dhe vëllezërve të Palucës. Konflikt që ishte përshkallëzuar për shkak të humbjes së një sasie të madhe kokaine në Belgjikë. Ndaj për këtë arsye ata kishin vendosur që të hakmerreshin ndaj Palucës në Shqipëri.

Sipas organit të akuzës, përplasjet për drogën midis Vlashit dhe vëllezërve Paluca kishin nisur që në vitin 2017. Prend Paluca mësohet se ka disa vëllezër të shpërndarë në Evropë. Por në pamundësi për të rënë në gjurmët e tyre, Edmir Vlashi dhe baxhanaku i tij Hektor Ndoka, të dënuar më herët në Belgjikë për grabitje me armë dhe drogë, vendosën të vrisnin Prend Palucën. 

Atentati ishte i fundit në radhë ndaj tij, por që ishte paraprirë nga dy të tjerë. Më i rëndi, i ndodhur më gusht të vitit 2021 ku Prend Paluca mbeti i plagosur rëndë me armë zjarri në pragun e banesës së tij në Kamëz.