KAFE SHQETO/ Dashamir Shehi: Olta Xhaçka e ka humbur moralisht të drejtën e të qenit ministre
Dashamir Shehi, deputeti i djathtë dhe kryetari i LZHK, ka shprehur sot qëndrimin e tij të qartë lidhur me rastin e Ministres së Jashtme Olta Xhaçka, e cila, në vend që të japë dorëheqjen për milionat që ka përfituar nga shteti bashkëshorti i saj si “Investitor strategjik”, kërkon ta mbajë më çdo kusht postin e lartë qeveritar, duke kërkuar shpëtim në labirintet e drejtësisë.
Shehi, i cili është një nga 14 deputetët firmëtarë që kërkojnë largimin e Xhaçkës si fytyra përfaqësuese e Shqipërisë në botë, e la menjanë zgjidhjen që do të japë gjyqësori dhe nënvizoi aspektin moral: “ Si do të shkosh ti, Ministrja e Jashtme, do të ulesh nëpër botë në emër të Shqipërisë, kur ti je një person kaq i përgojuar për këtë çështje?!” – ngriti pyetjen ai.
Ndiqeni në vijim, gjykimin e z. Shehi, i ftuar sot në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV lidhur me debatin mbi kryediplomaten biznesmene Olta Xhaçka.
“Përveç procesit juridik, gjyqësor që është në vazhdim, është edhe një proces tjetër, ai politik., - theksoi Shehi. - Dhe këtu nuk kanë mbërritur akoma, jo shoqëria shqiptare, por institucionet në radhë të parë, që do të thotë se kjo zonja e ka humbur fuqinë morale për të qenë një institucion kaq i rëndësishëm i shtetit. Nuk mund të jetë.
“Ta zëmë se nuk do të dënohet, nuk do ta përjashtojë gjykata, por s’ka asnjë lloj kuptimi nga ana morale! Si do të shkosh ti, Ministrja e Jashtme, do të ulesh nëpër botë në emër të Shqipërisë, kur ti je një person kaq i përgojuar për këtë çështje?!
Kjo kuptohet haptazi, e gjejnë - s’e gjejnë prokurorët këtë punë, të mbrojnë – s’të mbrojnë dot avokatët, morali yt për të qenë një institucion i shtetit shqiptar ka rënë!
Edhe ky duhet të jetë synimi, synimi politik. Dhe ne kur e kemi firmosur atë letër, për këtë punë e kemi firmosur, se jam dhe unë një nga ata 14 firmëtarët për këtë çështje.
Pse?! Se është e tepruar, kjo është përtej asaj që është jo normalja, por … T’i hysh brenda, këta e quajnë korrupsion in, përfitimin nga shteti, si një gjë normale: “E çfarë po bëjmë?! Në një botë që pasurohen të gjithë në mënyrë abuzive, më takon të pasurohem edhe mua”!!!!
Po ik e pasurohu, por largohu nga ky funksion shtetëror! Ik pasurohu!
Do të pasurohesh?! Se kjo është drama e kësaj pune. Nuk po thotë njëri që yt shoq të dorëzojë milionat, as tokën, as hotelet, as pallatet. Ne po themi që ti vetë dorëzoje këtë mandatin e shtetit dhe ik e bashkohu me tët shoq, bëhuni biznesmenë! Ishalla fitoni 100 milionë, jo vetëm 4 a 5 sa ç’keni fituar!
Kjo është më e ndershme, është në rregull. Por, pse nuk ndodh kjo?! - Sepse është "infektuar" e gjithë piramida! Kjo nuk është se anash vetes sheh disa të ndershëm, të rregullt dhe i duket vetja “pis” ose sheh më lart (se kush është më lart? –Kryeministri) dhe t’i duket vetja pis.
Jo mo, jo! Nga të gjitha anët që të hedhë sytë mund t’i duket vetja pak më e pastër. Thotë “ça po bëj unë që s’e kanë bërë këta të tjerët?!”/ar.sh/SYRI.NET