Kapen 1.3 ton kokainë në Savona! Mediat italiane: Një shqiptar në krye të bandës kriminale
Me 2 janar autoritetet e hetimeve të krimeve kundër narkotikëve kanë marrë sinjalin se një ngarkesë e madhe kokaine ishte nisur në drejtim të Italisë.
Autoritet hetimore dhe grupi i posaçëm i Policisë portuale kanë qëndruar në vëzhgimin e mbërritjes së anijes nga Brazili në drejtim të portit të Savonës e për pasojë është ndërhyrë duke bërë të mundur zbulimin e 350 kilogramëve të lëndës së kushtueshme narkotike. Mirëpo në atë operacion, i cili u mbajt i fshehtë nga ana e policisë italiane u tha se u arrestuan 4 shtetas shqiptarë të cilët duket se kanë qenë pritësit e mallit.
Tashmë grupi që merret me hetimin e punës së asaj organizate kriminale e ka të qartë se shtetasit shqiptar që ranë në pranga si pritës të sasisë së kokainës në ditën e dytë të këtij viti nuk ishin të vetëm në atë operacion trafiku. Emrat e shqiptarëve të vënë në pranga nuk janë bërë të ditur, madje as në operacionin e ndërmarrë dy ditë më parë, teksa një tjetër anije e nisur nga Brazili ka pasur destinacion sërish portin e Savonës. Detajet e operacionit të bujshëm janë bërë me dije nga ana e skuadrës së Antimafies së Barit të cilët kanë treguar orëve të vona të së martës se kanë mundur të kapin ngarkesën tjetër prej afro 1 ton kokainë që kishte destinacion grupet mafioze të Italisë së jugut të cilët janë në bashkëpunim me shtetas shqiptar.
Operacioni të martën
Një sasi rekord kokaine është zbuluar dhe sekuestruar mbrëmjen e së martës në portin e Savonas, Itali. Hetimet e kryera deri tani nga Guardi di Financa e Barit, me koordinimin e Drejtorisë së Antimafies, kanë shkatërruar një organizatë kriminale të dedikuar për trafikun ndërkombëtar të kokainës, e cila dyshohet se operon në Italinë e jugut në bashkëpunim me kriminelët shqiptarë. Më herët, gjatë këtij fillim viti, në datën 2 janar në portin e Savonës, policia kishte sekuestruar më shumë se 350 kilogramë kokainë, duke bërë edhe arrestimin në flagrancë të 4 personave të kombësisë shqiptare.
Hetimet e mëvonshme bënë të mundur marrjen e informacionit në lidhje me mbërritjen në portin e Savonës të një anijeje tjetër tregtare, me flamur të Hong Kongut, e cila u nis nga porti i Santos në Brazil më 30 dhjetor 2022, ky dyshohej se ishte një ngarkesë tjetër e madhe kokaine, e destinuar për organizatën kriminale italoshqiptare nën hetim. Mëngjesin e 17 janarit, pas mbërritjes në portin e Savonës të anijes së dyshuar tregtare, e monitoruar nga avioni i Korpusit që kur ajo hyri në Ngushticën e Gjibraltarit, ushtria vazhdoi me inspektimin e pjesës së zhytur të bashit të anijes. Aktiviteti i kryer nga zhytësit e Seksionit të Operacioneve Detare të Savonës, bëri të mundur gjetjen dhe sekuestrimin ndaj personave të panjohur, të 741 pakove me kokainë, të ambalazhuara në 26 mbështjellës celofani, të fshehura me zgjuarsi në ‘gjelat e detit’ të motorëve të varkës, për një peshë totale prej rreth 1 ton.
Sipas të dhënave të mediave vendase mësohet se në ditët në vijim mund të flitet edhe për personat e vënë në pranga ndërkohë që ende nuk bëhet me dije nëse ka pasur të arrestuar gjatë operacionit të fundit. Ajo që mësohet është se italianët e hetimit e kanë pasur informacionin e saktë të nisjes së anijes dhe kanë qenë në pritje të saj. Mjeti lundrues është nisur nga porti i Brazilit me 30 dhjetor dhe dyshohet se lënda narkotike ka qenë e destinuar për të njëjtët pritësa, ndonëse 4 prej tyre janë mbërthyer në pranga që në mbërritjen e ngarkesës së parë.