Lihet i lirë vëllai i nxënëses që rrahu mësuesin: Arrestim i paligjshëm
Është lënë i lirë dhe ka dalë nga ambientet e Komisariatit të Policisë së Tepelenës, 29-vjeçari A.G, vëllai i njerës prej nxënëseve 13-vjeçare që pretenduan se janë ngacmuar seksualisht nga mësuesi i edukimit fizik në shkollën 9-vjeçare të qytetit të Tepelenës, Kleanthi Laçi.
Mbajtja e tij në dhomat e izolimit në komisariat nuk i ka kaluar kufijtë e 48-orarëshit, pasi Prokuroria e Gjirokastrës e ka quajtur “të paligjshëm” arrestimin e tij dy ditë më parë, pasi u vetëdorëzua në komisariat pas dhunës së ushtruar ndaj mësuesit 59-vjeçar.
Mësohet se lirimi i 29-vjeçarit nga dhomat e izolimit është bërë nëpërmjet një urdhri të posaçëm prej prokurores Edlira Manelli, e cila e ka vlerësuar si të paligjshëm arrestimin e A.G. pasi nuk kishte shkaktuar dëme që mund t'i shkaktonin vdekjen mësuesit Kleanthi Laçi.
Rrjedhimisht, dhunuesi i këtij të fundit zhvishet nga çdo akuzë e ngritur dhe është i lirë.