Shi dhe erë e fortë në Lezhë, Mirditë e Kurbin, ndërpritet energjia elektrike në fshatra
Territori i qarkut të Lezhës është përshkuar nga reshjet e shiut me intensitet të lartë në të mesëm që nga ora pesë e mëngjesit, të cilat vazhdojnë dhe në këto momente, të shoqëruara dhe me erëra të fortë deri në nivelin e një tufani. Sasia e reshjeve deri tani ka qenë mesatarisht rreth 40 mm shi.
Kuota e lumit Drin është në nivelin e mëngjesit, +1.1 m nga +2.0 m që është kuota kritike, kurse kuota e lumit Mat ka rritje të vogël për shkak të shkarkimeve të H/C Ulëz e Shkopet, 250 m³/s, por pa krijuar probleme.
Hidrovorët janë në gatishmëri. Nga ora 6:00 ka ndërprerje të energjisë elektrike në hidrovorin e Tales, si pasojë e dëmtimit të linjës elektrike nga era e fortë. Aktualisht, të gjithë hidrovoret e Lezhës janë në punë.
Nga strukturat e Mbrojtjes Civile të bashkive Lezhë, Mirditë dhe Kurbin, pas komunikimit me kryetarët e njësive administrative nuk raportohen deri tani problematika. Por në shumicën e fshatrave të bashkisë së Mirditës ka mungesë energjie elektrike.
Reshjet e shiut dhe breshëri vazhdojnë me intensitet të lartë në të gjithë territorin. Ka vërshim ujërash të mëdha në qytetin e Rubikut, por pa dëmtime.