Temperaturat në Grenlandë thyejnë rekorde

Ndërsa njerëzit po merren me “termostatin e planetit”, shkencëtarët po bashkojnë të dhënat e Grenlandës duke shpuar bërthama akulli për të analizuar se si kriza klimatike ka ndikuar në vendin ishull gjatë viteve.

Në këtë drejtim, sipas mediave të huaja,pas vitesh kërkimesh mbi shtresën e akullit të Grenlandës, shkencëtarët raportuan të mërkurën në revistën Nature se temperaturat atje kanë qenë më të ngrohtat në të paktën 1000 vitet e fundit.

Dhe ata zbuluan se midis 2001 dhe 2011, ishte mesatarisht 1.5 gradë Celsius më e ngrohtë se sa ishte gjatë shekullit të 20-të.

Autorët e raportit thanë se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njerëzit luajtën një rol të rëndësishëm në rritjen dramatike të temperaturave në rajonin kritik të Arktikut, ku shkrirja e akullit ka një ndikim të konsiderueshëm global.

“Grenlanda është kontribuuesi më i madh aktualisht në ngritjen e nivelit të detit”, ka thënë për CNN Maria Hörhold, autorja kryesore e studimit nga Instituti Alfred Wegener.

“Dhe nëse vazhdojmë me emetimet e karbonit siç bëjmë tani, atëherë deri në vitin 2100, Grenlanda do të ketë kontribuar deri në 50 centimetra në ngritjen e nivelit të detit dhe kjo do të prekë miliona njerëz që jetojnë në zonat bregdetare”.

“Stacionet” e motit përgjatë skajit të shtresës së akullit të Grenlandës kanë zbuluar se rajonet e saj bregdetare po ngrohen, por kuptimi i shkencëtarëve për efektet e rritjes së temperaturave atje ishte i kufizuar për shkak të mungesës së vëzhgimeve afatgjata.

Andaj, të kuptuarit e së kaluarës, tha Hörhold, është e rëndësishme për t’u përgatitur për pasojat e ardhshme.