Tha se do të hapë biblotekën shqip në Manastir, kërcënohet studentja

Studentja nga Shkupi Amira Selimi është kërcënuar nga një bashkëkombas i saj në lidhje me iniciativën e hapjes së një bibloteke me libra në gjuhën shqipe në qytetin e Manastirit.

Asaj i janë dërguar disa mesazhe kërcënuese në Facebookun e saj, ku ndër to e kanë akuzuar Selimin duke e quajtur terroriste.

Selimi është shprehur se nuk është ndikuar nga kjo gjë dhe do të vazhdojë ta çoj deri në fund këtë iniciativë.

Për të gjithë ata të cilët do të mundohen ta pengojnë në këtë punë, Selimi u bën thirrje se do të përballen me organet kompetente.

"Kam marrë disa mesazhe kërcënuese në lidhje me këtë iniciativë. Nuk më kanë mërzitur, por nga një anë, duke qenë se jam femër, jam emocionale e nuk mund ta përmbyll veten në këtë çështje në momentin që më thanë ‘terroriste’. A jam duke dërguar armë në Manastir apo po dërgoj libra? Si mund të më thuash terroriste. Unë nuk iu përgjigja fare dhe ato kërcënime do t'i dërgoj edhe në stacion policor, edhe pse nuk do të merren parasysh aspak sepse unë e di se në çfarë shteti jetojmë.

Edhe nëse do të kem kërcënime të tjera unë nuk do të dorëzohem. Po e them publikisht që nëse dikush do të më nxis mua që të dorëzohem as mos të tentojë sepse do të dështojë. Unë mbas vetes time kam të gjithë bashkëkombësit e mi që po më përkrahin. S’ka fuqi që më shantazhon për të më ndaluar këtë iniciativë.

Kush tenton ta bëjë një gjë të tillë do të përballet me organet kompetente ose konkretisht mendoj që do të kërkoj ndihmë nga ambasada amerikane në Maqedoninë e Veriut të marrë parasysh këta persona që në një shtet demokratik të bëjnë gjëra të tilla".