VIDEO-SYRI TV/ Përkeqësimi i motit shkakton probleme në disa zona të veriut të vendit

Përkeqësimi i motit gjatë orëve të fundit, ka lënë pa energji dhjetra fshatra në Korçë, Vlorë, Shkodër dhe Kukës. Problemet janë kryesisht në zonat rurale, ku defektet në rrjet për shkak të motit, kanë sjellë mungesë energjie. Për shkak të reshjeve, në Shkodër kanë nisur përmbytjet e para të tokave bujqësore, ndërsa problem janë rënia e inerteve nga shpatet e maleve në rrugë.

Nga SYRI TV

Përkeqësimi i motit në vend, ka lënë pa energji dhjetra fshatra në disa qarqe të vendit. Në Korçë janë të paktën pesë Njësi Administrative në disa bashki, fshatrat e të cilave nuk kanë energji elektrike. Në Vlorë, energjia u shkëput në të paktën 15 fshtra gjatë orëve të natës, ndërsa në disa prej tyre ajo u rikthye  gjatë ditës.

Pa energji janë pothuajse të gjitha zonat rurale në Kukës dhe Shkodër, dy nga qarqet më të goditur nga stuhitë e erës dhe shiut gjatë orëve të fundit. shefi i emergjencave civile në Shkodër, Pëllumb Dani deklaroi në një dalje për mediat, se veç energjisë, po shtohet dhe rreziku i përmbytjeve për shkak të prurjeve të lumenjve.

Në Shkodër, gjatë mesditës kanë nisur dhe përmbytjet, ku sipas bashkisë janë rreth 300 ha tokë nën ujë në Muriqan dhe Oblikë.

Në këtë bashki vijon të jetë e bllokuar rruga e Prekalit për shkak të rënies së gurëve, ndërsa është hapur rruga Mes-Ura e Shtrenjtë.

Probleme me rrugët ka pasur edhe në Kukës, ku në disa akse pati rrëshqitje gurësh, të cilat kanë krijuar vështirësi për automjetet.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi njoftoi se në terren po punojnë grupe të OSHE për të riparuar dëmet dhe rikthyer energjinë ndërsa 1200 forca të ushtrisë dhe 450 mjete janë të angazhuara për situatën emergjente.