Bileta VIP për duelin mes Ronaldos dhe PSG-së së Messit blihet në ankand për 2.4 milionë euro, ka përfitime të shumta

Mushref Al-Ghamdi, menaxheri i përgjithshëm i grupit të pasurive të paluajtshme AqarOne nga Arabia Saudite, ka paguar një shumë marramendëse në një ankand për një biletë VIP për ndeshjen mes lojtarëve të Al-Nassr dhe Al-Hilal kundër PSG-së.

Ndeshja ekspozuese, në të cilën Cristiano Ronaldo do të drejtojë si kapiten ekipin e kombinuar nga Arabia Saudite, do të luhet të enjten në Riad dhe për të promovuar ndeshjen, sauditët kanë nisur një ankand humanitar për një biletë VIP të quajtur "biletë përtej imagjinatës".

Sipas mediave lokale, ankandi ka nisur me 245 mijë euro dhe ka përfunduar me 2.4 milionë euro, të cilën e ka paguar Mushref al-Ghamdi.

Se nuk është një biletë e zakonshme, tregon edhe fakti se Mushref al-Ghamdi do të ketë akses në dhomat e zhveshjes dhe do të takohet dhe do të bëjë fotografi me Ronaldon, Messin, Neymarin dhe Mbappen, si dhe të ardhurat nga ankandi, thuhet se do të shkojnë për një kompani humanitare.

Ky mund të jetë edhe dueli i fundit që Ronaldo dhe Messi do të luajnë kundër njëri-tjetrit, nëse nuk realizohen plotësisht ëndrrat e sauditëve të pasur, të cilët duan të sjellin në vendin e tyre Lionel Messin në fund të këtij sezoni.

 

Mediat atje shkruajnë se Al-Hilal është i gatshëm t'i paguajë 250 milionë euro në sezon Messit për t'iu bashkuar kësaj skuadre, por e gjithë kjo është ende larg realizimit dhe Messi nuk është në të njëjtën situatë si Ronaldo, duke pasur parasysh se gjërat po shkojnë mirë te PSG.