SYRI TV/ Arrestohet mësuesi i dhunuar në Tepelenë, akuzohet se ngacmoi seksualisht të miturat
Vihet në pranga Kleanth Laçi, mësuesi i edukimit fizik që u dhunua nga tre persona në Tepelenë. Arrestimi i mësuesit u bë për akuzën e ngacmimit seksual ndaj dy nxënëseve, ndërsa është vënë në pranga dhe vëllai i njërës nga vajzat e mitura për dhunimin e mësuesit.
Nga SYRI TV
Kleanthi Laçi, mësuesi i fiskulturës që u dhunua dy ditë më parë në Tepelenë është arrestuar pasi akuzohet se ka ngacmuar seksualisht dy nxënëset e tij të mitura.
Dy ditë pas ngjarjes, policia ka dalë me një njoftim zyrtar, në të cilin bën me dije se ka vënë në pranga mësuesin dhe një nga dhunuesit e tij. Bëhet fjalë për vëllanë e njërës prej nxënëseve që ishte ngacmuar seksualisht nga profesor Laçi. Alvi Gumeni, 29 vjeç, është kthyer nga emigrimi dhe sapo ka dëgjuar ankesën e të motrës në lidhje me mësuesin ka vendosur të përballej vetë me arsimtarin.
Drejtoresha e shkollës “Avni Rustemi” në Tepelenë, Manjola Haska u shpreh se mësuesi është pezulluar nga puna, ndërsa vajzave të ngacmuara seksualisht nga ai po u qëndrohet pranë.
Për ngjarjen, vijojnë të jenë në kërkim dy persona të tjerë, të cilët bashkëpunuan me Alvi Gumenin për dhunimin fizik të mësuesit Kleanth Laçi.