'Dy inceneratorë - një aferë': Gjykata e Posaçme rrëzon kërkesën e Lefter Kokës
Gjykata e Posaçme e ka refuzuar sot, kërkesën e ish-ministrit Lefter Koka të arrestuar, për bashkimin e dosjeve të inceneratorëve të Elbasanit dhe të Fierit gjatë gjykimit të tij. Kërkesa u bë në gjykatë nga avokati i Lefter Kokës.
Gazetari Fatjon Gjinaj i SYRI TV, që po ndjek zhvillimet, tha:
"Sapo ka përfunduar edhe seanca e dytë paraprake, por edhe kjo është shtyrë për shkak të simptomave gripale të dy prej avokatëve të të pandehurve në lidhje me inceneratorin e Elbasanit , ndërkohë që data për këtë seancë është caktuar më 2 shkurt. Kurse për inceneratorin e Fierit, seanca paraprake do të zhvillohet më 1 shkurt.
Sot pati zhvillime në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit me dy kërkesa të drejtuara për herë të parë zyrtarisht nga të pandehurit e dosjes së inceneratorit të Elbasanit, por edhe të Fierit, pasi Lefter Koka, ish-ministri i Mjedisit, është i akuzuar për dyja këto afera dhe për të dy procedurat e inceneratorëvë në fjalë dhe ndaj tij janë caktuar dy masa arresti me burg që po i kalon në burgun e Durrësit.
Avokatët e të pandehurit Lefter Koka kërkuan në seancën paraprake të planifikuar të zhvillohej sot në Gjykatën e Posaçme, bashkimin e dosjes së Elbasanit dhe të Fietrt në një të vetme, kërkesë e cila nuk u pranua bashkë me kërkesën e dytë të Lefter Kokës dhe të Klodian Zotos (ky i fundit në kërkim, administrator i kompanive të inceneratorit të Fierit dhe të Elbasanit ) dhe gjykata vendosi që të mos i pranojë dhe të vazhdojë gjykimi (nëse do të kalojë në seancë paraprake natyrisht për gjykim) kërkesa e SPAK, në formë të ndarë të të dyja dosjeve.
Në lidhje me zhvillimet që ndodhën në Gjykatën e Shkallës së Parë Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, folën avokatët e disa prej të pandehurve.
Saimir Visha, ai që mbron njërin prej anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për inceneratorin e Elbasanit tha ndër të tjera se kjo çështje është gjykuar njëherë në Gjykatën e Shkallës së parë në Elbasan dhe është vënë në dijeni Prokuroia por dhe Gjykata e Posaçme për procedurat që janë ndjekur disa vite më parë dhe vendimi që është marrë për pushimin e kësaj çështjeje, ndërkohë që përmendi edhe çështjen e parashtrimeve që u hodhën nga mbrojtësit e disa prej të pandehurve për bashkimin e dosjeve në një të vetme, që u rrëzua.”