Itali/ Identifikohet streha e dytë e Messina Denaro, bosit të mafies

Magjistratët e prokurorisë së Palermos dhe karabinierët kanë identifikuar një strehë të dytë të përdorur nga bosi i mafies italiane Matteo Messina Denaro.

Përveç apartamentit në vicolo San Vito në Campobello di Mazara, të zbuluar dje, bosi i mafias dyshohet se kishte ndërtuar një lloj bunkeri brenda një shtëpie tjetër në të njëjtën zonë.

Brenda burgut të sigurisë maksimale të L'Aquila, Denaro, i kapur në Palermo pas 30 vitesh në arrati, tashmë ka bërë orën e parë të ajrimit, ka organizuar qelinë dhe është shumë aktiv, duke u treguar gjithmonë i buzëqeshur me stafin që takon në burg, shkruan medie italiane Ansa.it.
   
Sipas burimeve të informuara, seancat e kimioterapisë mund të organizohen me siguri maksimale në një strukturë jashtë burgut.   

Seanca për gjyqin e Matteo Messina Denaro, që do të zhvillohet në Caltanissetta, është caktuar për nesër.

Messina Denaro emëroi dje avokaten e tij të besuar, mbesën e tij Lorenza Guttadauro.