A ishte i inskenuar momenti i arrestimit të Greta Thunberg?
Nga Michael Engelberg, BILD
Greta Thunberg qëndron pa lëvizur mes policëve që e mbajnë për krahësh. Disa fotografë janë aty, duke bërë foto dhe video nga ky moment.
20-vjeçarja u shoqërua për në paraburgim nga oficerët në minierën Garzweiler në Gjermani. Fotot e këtij operacioni policor po qarkullojnë masivisht në internet dhe janë kthyer në objekt diskutimi.
Flitet për inskenim, një komentues për shembull shkruante se duket më shumë si një fotosesion.
Disa komentues të tjerë akuzojnë zyrtarët se po bashkëpunojnë me Thunberg. Të tjerë thonë se aktivistja vetë donte të bënte një inskenim.
Por çfarë ndodhi në të vërtetë? Gazetari i BILD, Michael Engelberg ishte aty të martën: “Greta ishte në rrugë me disa aktivistë të tjerë, ndërsa po vazhdonte protesta. Disa nga pjesëmarrësit u nisën drejt minierës së hapur. Atje grupi u rrethua nga oficerët e policisë pak përpara skajit ku po bëhen shembjet”.
“Aktivistët u ulën së bashku përtokë dhe nisën të këndojnë. Menjëherë pas kësaj, policia njoftoi se kush dëshironte të largohej nga grupi, mund të largohej pa identifikuar të dhënat e tij personale.
Pas tre kërkesave, edhe në gjuhën angleze, grupi i personave nisi të pastrohej. Aktivistët e parë u larguan- përfshirë Greta Thunberg. Dy oficerë policie e morën dhe e çuan rreth 200 metra më tutje. Duke qenë se vendi ishte i zënë me persona të tjerë që po jepnin të dhënat personale, Greta vetëm qëndroi aty me dy oficerë për pak minuta pa ndodhur asgjë.
Kur policët u larguan, Greta u dërgua në një autobus që priste pak më tutje, e shoqëruar nga policia. Aty hyri brenda. Aktivistët e tjerë e pasuan, pas vërtetimit të identitetit të tyre”, thotë gazetari.
Me kërkesë të ‘Koelnische Rundschau’, policia e Aachen-it hodhi poshtë akuzat për një inskenim: “Nuk pati akte rezistence nga ky grup, kështu që nuk kishte asnjë arsye që zyrtarët vendas të merrnin masa të ashpra. Nuk ka favorizim për të famshmit, por gjithashtu nuk ka trajtim të pabarabartë të të famshmëve,” tha zëdhënësi i policisë.
Për shumë dëshmitarë okularë dhe përdorues të internetit, duket e çuditshme që Thunberg buzëqesh gjatë përballjes me policinë. Sfondi është i paqartë- por mund të jetë për shkak të sindromës Asperger (një formë autizmi).