Ngacmimi i nxënëseve, drejtoresha: Nuk kemi vërejtur asgjë te mësuesi
Drejtoresha e shkollës 9-vjeçare të Tepelenës, Manjola Haska, ku një vartës i saj, mësuesi Kleanthi Laçi, 59 vjeç u arrestua nga policia me dyshimin se kishte ngacmuar seksualisht dy nxënëse të mitura 13-vjeçare, deklaroi sot për SYRI TV se janë në ndjekje të rastit.
Lidhur me fëmijët e përfshirë në këtë histori, drejtoresha tha se i ka vizituar në familjet e tyre bashkë me psikologen dhe mësuesen kujdestare dhe gjendja psikologjike e të miturave paraqitet shumë mirë.
“Për këtë ngjarje kemi dy ditë që po hetojmë, - tha drejtoresha. - Sot ky problem ka shkuar në instancat më të larta. Ministria e Arsimit ka marrë vendimin për pezullim nga puna deri në zbardhjen e kësaj çështjeje.
Ne jemi shumë pranë vajzave, bashkë me psikologen e shkollës dhe mësuesen kujdestare kemi shkuar në familjet e tyre. Gjendja psikologjike e gocave është shumë mirë.”
E pyetur nëse kishin vërejtur diçka ndryshe në sjelljen e mësuesit tashmë të arrestuar, zonja tha: “Jo absolutisht, asnjë një gjë të tillë për sa i përket ambienteve të shkollës.”