Përdori gjuhë diskriminuese për shqiptarët, ministri anglez: Nuk pendohem për fjalët
Zyrtarët britanikë, prej më shumë se një viti kanë dështuar të marrin vendimet e duhura për të ndalur vrullin e madh të emigrantëve që mbërrijnë me gomone nga Kanali dhe në muajt e fundit kanë nisur një ofensivë me një fjalor aspak të përshtatshëm për shqiptarët.
Fjala kriminel është kthyer në një sinonim për shqiptarët në retorikën e tyre nëpër fjalime. E para që e nisi këtë sulm ishte Sekretarja e Brendshme, Suella Braverman, teksa së fundmi është Ministri për Emigracionin, Robert Jenrick, i cili i ka quajtur shqiptarët kriminelë.
Së fundmi Shqipëria i ka dërguar një notë verbale Britanisë së Madhe dhe pas kësaj ka reaguar edhe Jenrick. Ai shprehet se nuk është penduar për fjalët e tij, teksa mundohet ta “dredhë” disi atë çka ka thënë, duke bërë një klasifikim të shqiptarëve kësaj here.
“Nuk jam penduar për videon, duhet të jemi në gjendje të dallojmë diasporën shqiptare, të cilën ne e respektojmë dhe dëshirojmë të punojmë sa më afër, shtetasit britanikë që janë me origjinë shqiptare dhe ata që zgjedhin të vijnë këtu legalisht. Me gomone. Është absolutisht e drejtë që qeveria ka një qëndrim shumë të fortë për këtë”, tha ai.