KAFE SHQETO/ Gjokutaj: Çështja e Xhaçkës nuk ka vështirësi juridike

Avokati i njohur, Genc Gjokutaj ishte i ftuar në emisionin ‘KAFE SHQETO’ në SYRI TV, për të komentuar çështjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, që do shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.

Ai tha se kjo është një çështje e lehtë juridike, por ka vështirësi në planin moral.

“Sot për drejtësinë shqiptare është një ditë punë. Tashti se si do shfrytëzojnë këta këtë ditë, kjo është pjesë tjetër.

Unë e ndoqa pak këtë parashtrimin që ju bëtë në lidhje me mandatin e zonjës Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese për shkak të shpalljes së bashkëshortit të saj nga ana e qeverisë, anëtare e së cilës është zonja Xhaçka, të bashkëshortit si investitor strategjik.

Në fakt janë disa investitorë strategjikë e që të gjithë nga mbrapa e kanë një pikëpyetje dhe pikëçuditëse. Dhe asnjë prej tyre nuk është të themi që ky është, se ka hyrë në këtë garë, është munduar dhe e ka fituar këtë status.

Fakti që çështja ka shkuar në Gjykatën Kushtetuese e vë gjykatën para një përgjegjësie të madhe, në fakt ky është një gjyq rutinë po të marrim në konsideratë integritetin dhe përgatitjen e gjyqtarëve kushtetues, pasi sigurisht rekrutimi i tyre bëhet në baze të kurrikulave dhe përvojës. Pra, në një farë mënyre ata kanë përvojën e duhur të zgjidhin një çështje jo shumë të vështirë.

Pra, kjo çështje nuk ka ndonjë vështirësi në planin juridik, por kjo ka një vështirësi të madhe në planin moral dhe në integritetin e personave, për të mos u tunduar ose për të mos u dorëzuar përpara presionit të pushtetit.

Bashkëshorti i zonjës Xhaçka ka përfituar një status, nuk është status veterani, as status si pjesëmarrës në luftë apo ndonjë meritë e shkuar, por statusi është i thjeshtë që të fitojë ca milionë euro,” tha ai.