Conte shpërthen ndaj drejtuesve të Tottenham

I pranishëm në një konferencë për shtyp para ndeshjes Manchester City - Tottenham këtë të enjte (21:00) në Premier League, Antonio Conte donte t'u dërgonte një mesazh mjaft të qartë drejtuesve të tij. Tekniku italian, i cili është në vendin e pestë në kampionat me Spurs-at e tij dhe që tani janë 14 pikë prapa liderit Arsenal, shpreh keqardhjen për mungesën e qartësisë së klubit të tij përballë mediave.

 

“Në Angli mendoj se ka një zakon të keq që flet vetëm trajneri. Unë kurrë nuk kam parë shërbimin mjekësor të vijë këtu dhe të shpjegojë pse një lojtar ka probleme me rikuperimin. Unë kurrë nuk kam parë drejtorin sportiv të vijë këtu dhe të shpjegojë strategjinë dhe vizionin e klubit. Në Itali, para ndeshjes është një person i klubit që del para mediave dhe që u përgjigjet shumë pyetjeve. (…) Ndoshta jo çdo javë, por çdo 15 ditë, një herë në muaj…” , u shpreh Conte.