SYRI TV/ Berisha: Rama, Josifi e Xhaçka presion mbi Kushtetuesen

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe ministren Olta Xhaçka se po ushtrojnë presion ndaj Gjykatës Kushtetuese, për të përligjur grabitjen, përmes investitorit strategjik. Një ditë para shqyrtimit të mandatit të ministres, Berisha i bëri thirrje anëtarëve të GJK, të gjykojnë me paanshmëri çështjen

SYRI TV

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha denoncoi përpjekjet e kryeministri Edi Rama dhe rrethit të tij të ngushtë, për të përligjur vjedhjen e të paktën 5 milionë eurove, përmes shpalljes së bashkëshortit të ministres Olta Xhaçka investitor strategjik, duke ushtruar presion te anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Një ditë para se Gjykata Kushtuese të nisë shqyrtimin e çështjes së mandatit të ministres Olta Xhaçka, lideri i opozitës akuzoi edhe ish-zyrtarin e shpallur në kërkim, Amant Josifin, se përmes parave po tenton të ndikojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Kreu demokrat i bëri thirrje anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të gjykojnë me paanshmëri çështjen e mandatit të ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Gjykata Kushtetuese do të nisë të mërkurën shqyrtimin e raporteve të komisionit hetimor sa i takon mandatit të ministres Xhaçka, në një kohë kur mazhoranca pretendon se ajo nuk është në shkelje të ligjit, ndërsa opozita e akuzon se është në kushtet e konfliktit të interesit, pasi bashkëshorti i saj, është shpallur investitor strategjik nga qeveria dhe ka marrë në shfrytëzim tokë publike.