Virusi që po godet fëmijët/ Izolohet rasti i parë me RSV, mjekët: Duket si grip, ja shenjat

Virusi respirator sinsicial ka kohë që  po qarkullon te fëmijët në vendin tonë të paktën referuar shenjave simptomave klinike që shfaqnin fëmijët, por sa janë deklaruar këto raste?
Instituti i Shëndetit Publik vetëm këtë të martë ka deklaruar zyrtarisht se ka izoluar rastin e parë të prekur nga virusi.

ISHP i referohet një 16-vjeçari, i cili u paraqit në infektiv me komplikacione të rënda për të cilat edhe u intubua, por fatmirësisht djali  e ka kaluar rrezikun për jetën dhe është në gjendje të mirë shëndetësore. Mjekët thonë se ka shumë fëmijë të tjerë të prekur nga ky virus, i cili agravon kryesisht gjendjen shëndetësore te foshnjet e vogla, duke u shkaktuar bronkopneumoni dhe pamjaftueshmëri në frymëmarrje. 

Ky virus shfaq të njëjtat simptoma si gripi, temperaturë të lartë, kollë, dhimbje kraharori dhe në ditën e tretë apo të pestë, situata agravohet.

Në urgjencën e pediatrisë tanimë nuk është numri i lartë i fëmijëve që paraqiten, por se ka shumë raste të rënda, shkaktuar nga virusi respirator sinsicial dhe viruset e gripit në qarkullim.