Telashe pa marrë ende postin/ E kaluara e dyshimtë ruse e ministrit të ri të Mbrojtjes në Gjermani
Ai akoma nuk e ka nisur detyrën, por që tani kanë nisur telashet për emrin e propozuar për të marrë postin e ministrit të Mbrojtjes në Gjermani.
62-vjeçari i socialdemokratëve gjermanë dukej se ishte një kandidaturë e përshtatshme, edhe pse është një figurë shumë pak e njohur ndërkombëtarisht.
Duke zgjedhur një figurë me profil të ulët, kancelari gjerman, Olaf Scholz synonte të shuante skandalet që kishin shoqëruar drejtimin e ministrisë nga Christine Lambrecht.
Por sërish në sfond shfaqet çështja ruse.
Sipas gazetës BILD, problemet kanë nisur pasi Pistorius ka bërë disa deklarata të çuditshme për Rusinë.
Gazeta shkruan se ai ishte takuar në disa raste për biseda miqësore me diplomatët e Vladimir Putinit.
Për më tepër, Pistorius ishte pjesë e një rrethi të diskutueshëm miqsh të Rusisë.
Në vitin 2018, Pistorius kishte kërkuar që të rishikoheshin sanksionet e vendosura nga Bashkimi Europian ndaj Rusisë. Sipas tij, sanksionet po i shkaktojnë miliarda euro humbje ekonomisë gjermane, ndërkohë që e kanë forcuar presidentin Putin në politikën e brendshme.
Sipas tij, ndaj Rusisë duhet një qasje më miqësore.
Alarmi që po ngrenë që tani politikanët gjermanë është nëse Pistorius do të tregohet shumë i butë ndaj Putinit.