‘Njeriu që ka vjedhur 2.2 miliardë euro po ndikon te Kushtetuesja për mandatin e Xhaçkës’
Gjykata Kushtetuese ka parashikuar të marrë në shqyrtim të mërkurën më 18 janar, dy padi të ngritura nga deputetët e opozitës lidhur me papajtueshmërinë e mandatit të deputetit për ministren e Jashtme, Olta Xhaçka, pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi u shpall investitor strategjik për ndërtimin e një hoteli në Dhërmi.
Në parashtrimet e mbrojtjes, të cilat BIRN i disponon, Xhaçka përpiqet të shpëtojë mandatin e saj me procedurë, duke sjellë si argument në favor, tejzgjatjen e vendimmarrjes nga Kuvendi për dy mocionet e opozitës.
“Pa i hyrë shkakut substancial, nëse ekziston apo jo kushtet që passjellin papajtueshmërinë e mandatit, duhej që kërkimi për papajtueshmëri të ngrihej para Gjykatës Kushtetuese brenda periudhave të parashikuara në nenin 66/a të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”,” thuhet në dokumentin mbrojtës.
Por ndërkohë, pikërisht sot, kryetari i opozitës, Sali Berisha denoncoi se grupi i Edi dhe Olsi Ramës po përpiqet që të ndikojë te Gjykata Kushtetuese që të japë një vendim në favor të Xhaçkës.
Ai përmendi pikërisht Amant Josifin, të shumëkërkuarin e policisë spanjolle, pasi akuzohet se ka ngritur një skemë mashtrimi prej 2.2 miliardë eurosh, si njeriun që kërkon të ndikojë te Gjykata Kushtetuese.
“Jam sot para jush për të denoncuar me forcën më të madhe përpjekjen e rrezikshme mafioze, mobilizimin e papërmbajtur të Edi Ramës, Olsi Ramës, Amant Josifit, Artan Gaçes dhe Olta Xhaçkës, për ndikime të shumëllojshme mbi gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese në vendimin e tyre.
Ky grup i strukturuar ka ndërmarrë dhe po ndërmerr forma anti-ligjore, anti-kushtetuese presioni ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese me qëllimin që të përligjin grabitjen nëpërmjet firmës së Edi Ramës nga Olta Xhaçka dhe bashkëshorti i saj të statusit ‘Investitori Strategjik’ me së paku 5 milionë euro favore.
Amant Josifi, njeriu që ka vjedhur 2.2 bilionë euro, i lidhur kokë e xhep me Olsi Ramën dhe Olta Xhaçkën, por edhe me Artan Gaçen, ka mobilizuar të gjithë potencialin e tij financiar së bashku me të sipërpërmendurit për të ndikuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese,” tha Berisha.