SYRI TV/ Edhe kontenieri iu përmbyt, gjyshja e mbesa në spital - Shpresa Guci: Shteti më ka braktisur

Tri muaj pasi kontenieri dhe çadra e tyre u përmbyt nga uji, Shpresa Guci dhe mbesa e saj e mitur kanë përfunduar të shtruara në spitalin e Durrësit. Gjyshja dhe mbesa kanë pasur probleme shëndetësore, të cilat duket se kanë ardhur nga kushtet e këqija të jetesës në kontenierin ku jetojnë për shkak se banesa u dëmtua nga tërmeti. Rrëfimi tronditës i të moshuarës, që ndodhet në spital së bashku me mbesën e mitur.

Nga SYRI TV

Ky ishte apeli i Shpresa Gucit, gjyshes së dy mbesave të mitura, të cilat prej tre vjetësh i rrit e vetme. Tërmeti i 26 nëntorit i la pa stehë, ndërsa dy vajzat e mitura dhe gjyshja e tyre prej asaj kohe jetojnë në çadër ku kanë kaluar dimër pas dimri pa asnjë ndihmë.

Pasojat e dimrave në çadër dhe kontenier, tashmë duket se janë të rënda. Shpresa bashkë me mbesën e saj, kanë përfunduar të shtruara në spitalin e Durrësit. E moshuara thotë se mbesa  e mitur është sëmurur për shkak të jetesës në kushte të vështira në kontenier, i cili u përmbyt gjatë muajit nëntor të vitit të kaluar.

Shpresa Guci shprehet se edhe vetë është e sëmurë, ndërsa ndihet e braktisur dhe nëpërkëmbur nga shteti.

Në muajin nëntor të vitit të kaluar, Shpresa Guci tregoi në SYRI TV situatën e saj të vështirë, ku prej tre vjetësh jeton në çadër e kontenier me dy mbesa të mitura, të cilat veç dramës nga tërmeti, u përballën dhe me përmbytjet e tre muajve më parë. Sot, tri muaj më pas, shpresa dhe një nga mbesat e saj të mitura, gjenden të shtruara në spital, ndërsa drejtuesja e këtij institucioni nuk lejoi mjekët që të flasin për SYRI TV për të treguar rreth gjendjes shëndetësore të vajzës së mitur dhe gjyshes së saj.

Kronika e datës 21 nëntor: Drama e familjes së Shpresa Gucit: Kërkoj ndihmë, kryetarja e bashkisë së Durrësit tallet me mua