Memoriali për Lisa Marie Presley do të mbahet në Graceland
Mmephis, Tennesi - Një shërbim përkujtimor publik për Lisa Marie Presley do të mbahet fundjavën e ardhshme në Graceland, shtëpia e famshme në Memphis e babait të saj, Elvis Presley.
Përkujtimi për Lisa Marie Presley do të mbahet në lëndinën e përparme të rezidencës në orën 9 të mëngjesit më 22 janar, sipas një përfaqësuesi të vajzës së saj, aktores Riley Keough.
Presley, 54 vjeçe, vdiq të enjten, disa orë pasi u shtrua në spital për një urgjencë mjekësore.
Më parë u njoftua se Presley do të varroset në Graceland pranë djalit të saj, Benjamin Keough, i cili vdiq në vitin 2020. Elvis dhe anëtarët e tjerë të familjes Presley janë varrosur gjithashtu në Graceland.
Vetë kantautorja, Lisa Marie nuk jetonte në Memphis, ku lindi. Por ajo shkonte në qytet për festimet e përvjetorit të lindjes së babait të saj dhe në përkujtimet e vdekjes së tij, që e tronditi botën kur u gjet i vdekur në Graceland në moshën 42-vjeçare, më 16 gusht 1977.
Lisa Marie u bë trashëgimtarja e vetme e Trustit Elvis Presley, i cili - së bashku me Elvis Presley Enterprises - menaxhonte Graceland dhe prona të tjera derisa ajo shiti aksionet e saj të shumicës në vitin 2005. Ajo ruajti pronësinë e vetë rezidencës, 13 hektarët përreth saj dhe sendet brenda Shtëpisë.
Ajo la pas nënën e saj, Priscilla Presley, dhe tri fëmijë.