Makina luksoze e prona, sekuestrohen asetet e Andrew Tate me vlerë 3.2 milionë Paund
Autoritetet rumune kanë deklaruar se kanë sekuestruar 3.2 milionë Paund asete nga Andrew Tate pas arrestimit të tij për trafikim qeniesh njerëzore.
Agjencia Kombëtare e Menaxhimit të Aseteve të Sekuestruara tha se nga shtëpia e Tate janë marrë 29 objekte ku përfshihen makina, orë luksoze dhe shuma parash në monedha të ndryshme.
Sipa agjencisë, sekuestrimet u urdhëruan nga prokurorët e Direktoratit për Hetimin e Krimit dhe Terrorizmit të Organizuar. Makina si Rolls Royce, Mercedes Benz dhe BMË u morën nga prona e Tate nga autoritetet. Më vonë u konfirmua se 15 makina dhe më shumë se 10 prona përgjatë Bukureshtit që i përkasin Tate, u sekuestruan për të mos lejuar fshehjen apo shitjen e tyre.
Tate, vëllai i tij Tristan dhe dy rumune të dyshuara për formimin e një grupi kriminal për shfrytëzimin seksual të gjashtë vajzave, u arrestuan më 29 Dhjetor. Direktorati ka deklaruar se katër të dyshuarit operonin në Rumani, Britani dhe SHBA. Viktimat mashtroheshin nga Tate për të udhëtuar drejt Rumanisë me premtimin e fillimit të një marrëdhënieje dashurore ose martese, përpara se të shfrytëzoheshin seksualisht me dhunë fizike dhe kërcënime.
Të gjithë të dyshuarit kanë mohuar akuzat.
Andrew Tate, një kickboxer profesionist dhe ish-konkurrent në një realitu show, u bë i famshëm në platformat virtuale për deklaratat misogjiniste dhe gjuhën e urrejtjes. Në një seri virale të tyre që solli edhe bllokimin e tij nga platformat më të mëdha sociale derisa llogaria e tij e Twitter u hap sërish nga Musk, Tate mbronte hapur dhunën ndaj grave dhe deklaronte se i përkisnin meshkujve.
Përpara anulimit të llogarisë së tij në Tik Tok, ai numëronte më shumë se 11 miliardë shikime që ngjallnin shqetësime nga prindërit e mësuesit për ndikimin që këndvështrimet e tij kishin tek të rinjtë./tvklan.al