Kush nuk është i lirë vetë, nuk drejton dot betejën për liri!

Nga Gent Strazimiri/

Me 26 mars 2022, i zbrazën vetë zyrat në selinë e PD, duke pranuar verdiktin e demokratëve që i nxori të turpëruar me 6 mars.

U larguan natën, në heshtje, duke lënë pas një godinë që e kishin shndërruar në burg, në të cilin u vetëburgosën nga frika e demokratëve.

Dalja nga ai rrethim blindash të turpshme ishte njëkohësisht edhe një gjest çlirimi, një hap drejt lirisë dhe arsyes, mendova.

Mendova se u çliruan dhe sinqerisht shpresova se rrugët e ribashkimit tashmë ishin të mundëshme, mjaftonte të harronim tensionet dhe përplasjet, e të gjenim motivin tek beteja për liri, si dhe herë të tjera.

Por dikush a diçka nuk i lejoi!

Dikush a diçka i kapi për veshi, dhe i detyroi të bënin hapa prapa e të hapnin një spirale të re, edhe më të turpshme, tashmë jo më me "godinë" por, me "vulë" dhe me "gjyqe"...

Prej 10 muajsh enden kudo ku i çon ai "dikushi" apo ajo "diçkaja" që i ka kapur për veshi, duke mbajtur në dorë një vulë që ia njeh vetëm ... regjimi!

Në këto 10 muaj, kanë dëshmuar se janë edhe më të robëruar se në 26 mars 2022 kur e liruan vetë godinën, se nuk janë të lirë të vendosin me bindjen e tyre, por presin porosinë e radhës nga dikushi apo diçkaja se si ti pengojnë demokratët të zhvillojnë betejën për liri.

Këto 10 muaj janë dëshmi e faktit se ai që nuk është i lirë vetë, nuk mund të drejtojë betejën për liri.

Ai që nuk është i lirë vetë, do vazhdojë të zvarritet gjykatave apo rrëzave ku e çon për veshi, dora e atij dikushit apo asaj diçkasë që e ka robëruar.

Beteja për liri nuk është betejë burokratike!

Askush nuk e ka fituar lirinë me stilograf e letër, e kësisoj as nuk e ndal dot nevojën për liri me stilograf e letër, për më tepër kur të dyja janë në dorë të opresorit...

26 marsi 2022, ishte veprimi i fundit autonom që ndërmorën, vendimi i fundit që u diktoi arsyeja, cilësi e njeriut të lirë.

Më tej nuk i lanë, dhe kjo dëshmon se nuk janë të lirë e për këtë arsye nuk i duhen më askujt!