Dokumentet ‘top secret’/ Rogan: Komplot i demokratëve kundër Biden

Vazhdojnë të dalin në dritë të tjera të dhëna që vetëm sa thellojnë skandalin e dokumenteve të gjetura në garazhin e banesës private të presidentit amerikan, Joe Biden.

Shtëpia e Bardhë deklaroi se nuk ka asnjë të dhënë për regjistrin e personave që kanë vizituar shtëpinë private të Biden.

Republikanët kishin kërkuar që të shihnin regjistrin e hyrje-daljeve nga banesa ku u gjetën dokumentet sekrete. Por Shtëpia e Bardhë tha se nuk është praktikë standarde diçka e tillë.

Të paktën 20 dokumente sekrete janë gjetur në shtëpinë e Biden dhe në një zyrë private që ai përdorte në Uashington.

CBS raportoi se disa prej dokumenteve janë ‘top secret’- shkalla më e lartë e klasifikimit për një dokument.

Ndërkohë gazetari i njohur, Joe Rogan tha se publikimi i skandalit të dokumenteve të klasifikuara është një komplot i Partisë Demokratike.

Sipas tij, të majtët në SHBA duan të ‘heqin qafe’ presidentin Biden. Qëllimi është që të pengojnë atë për të garuar në vitin 2024.

Sipas tij, kjo vjen nga fakti se janë pikërisht njerëzit pranë Biden që po zbulojnë dokumentet e klasifikuara në zyrën dhe banesën e tij private.