Kapja e bosit më të madh të mafies siçiliane/ ‘Rolex, koha jote mbaroi!’

BILD

Ata e gjetën burrin e dobët në një pavijon për kancerin duke bërë ekzaminime. “Si e ke emrin”, e pyeti një oficer policie. “Unë jam Matteo Messina Denaro,” u përgjigj ai.

Sipas medieve italiane, arratisja e shefit të fundit të madh të Cosa Nostra-s ka përfunduar në mënyrë jospektakolare. Më i kërkuari i Italisë, prej 30 vitesh në arrati, është arrestuar në spitalin ‘La Madalena’ në Palermo.

Ai njihej me emrin ‘Rolex’ për shkak të fiksimit me orët e shtrenjta. Gjithashtu njihej edhe si ‘Thataniku’ ose ‘Diaboliku’, sipas një personazhi vizatimor nga bota e krimit. Denaro lindi mafioz: Babai i tij, Don Ciçio ishte kapo e familjes Castelcetrano, një bastion i Cosa Nostra-s në Siçili. Denaro mësoi të gjuante me armë kur ishte 14 vjeç. Vrasjen e parë e kreu kur ishte 18 vjeç.

Thuhet se ka vrarë ose ka urdhëruar vrasjen e të paktën 50 personave, mes tyre edhe një rival dhe të dashurën shtatzënë. Një menaxher hoteli që e trajtoi me mungesë respekti. Ai ishte i përfshirë edhe ndaj sulmeve mbi ‘gjahtarët e mafies’, Falcone dhe Borsellino, si dhe në rrëmbimin dhe vrasjen e vogëlushit Giuseppe di Matteo, 12 vjeç, babai i të cilit ishte rrëfyer.

“Kam mbushur një varrezë,” mësohet se mburrej Denaro.

Kur Toto Riina, bosi i bosëve, u arrestua në vitin 1993, Denaro u zhduk. Ai i shkroi një letër të dashurës së tij: “Më duhet të iki, nuk mund ta shpjegoj pse”. Ai e zgjeroi pushtetin e tij në botën e nëndheshme të krimit duke vendosur kontakte me kartelet e kokainës në Kolumbi dhe me Ndragheta-n në Kalabri. I dënuar me burgim të përjetshëm në mungesë në vitin 2002, në vitin 2006, pas arrestimit të Bernardo Provenzano-s, ai u bë kryeshefi i Cosa Nostra-s.

Denaro nuk u kap dot. Derisa hetuesit ndryshuan strategji. Ata arrestuan të afërm dhe miq, duke i ngrirë pasuritë. Flukset financiare u thanë. Në vitin 2021, policia në Hagë arrestoi një burrë që besohej se ishte Denaro. Vetëm një test i ADN-së vërtetoi pafajësinë e tij.

Prej kohësh flitej se kumbari kishte kancer në zorrën e trashë. Klinika në Palermo ishte nën vëzhgim.

Kur u arrestua Denaro, kalimtarët duartrokitën përpara spitalit. “Kjo duartrokitje për policinë është konfirmim i ndryshimit në shoqërinë civile të Palermos,” thotë për BILD ish-kryebashkiaku Leoluca Orlando.

Si funksionon Cosa Nostra

Cosa Nostra e ka origjinën në Siçili në gjysmën e parë të shekullit të 19-të. Mafia siçiale është konsideruar prej kohësh si organizata kriminale më e fuqishme në Itali, edhe pse në rajone të tjera si në Napoli dhe Kalabri, Camorra dhe Ndragheta dominojnë botën e krimit.

Cosa Nostra është strukturuar përmes disa ‘familjeve’ që tregtojnë armë dhe drogë dhe zhvasin para përmes ‘mbrojtjes’. Kontratat publike fitohen përmes korrupsionit, kryesisht në ndërtim dhe grumbullim plehrash. Ky biznes përdoret për pastrim parash.

Kryefamiljarët formojnë një ‘komision’ që mblidhet rregullisht. Deri në vitet 1990, Cosa Nostra drejtohej nga një kryetar i vetëm (capo di tutti i capi), më të njohurit ishte Toto Riina dhe Bernardo Provenzano nga familja Corleone.

Pas arrestimeve të shumta dhe një lëvizje të gjerë publike antimafia në Siçili, Cosa Nostra thuhet se është dobësuar.