VIDEO/ Pallatit i vendoset shiriti, tërmeti i fundit i dha goditjen finale

Tërmeti që ra para dy ditësh në Shqipëri i ka dhënë goditjen e fundit një pallati në Bulqizë me 45 familje duke e bërë të rrezikshëm përfundimisht banimin në të.

Ekspertët kanë kërkuar largimin e tyre nga pallati, pasi një tërmet tjetër mund të jetë fatal, sepse ka çarje të konsidrueshme, ndaj sot, Policia e Shtetit e ka rrethuar godinën dhe ka njoftuar familjet të dalin prej saj pasi është e pabanueshme.

Një pjesë e familjeve janë larguar, por jo disa të tjera dhe këto janë familjet që kanë hyrë aty me qera. Ato nuk duan të dalin me argumentin se nuk kanë ku të shkojnë, pavarësisht se janë njoftuar se ndërta është e rrezikshme.

Tashmë, Policia u ka lënë afat deri në orën 10:00 që të gjejnë zgjidhje të tjera dhe të nxjerrin sendet e tyre. 

Pallati ka qenë i dëmtuar dhe i rrezikshëm që në vitin 2019. Pas tërmetit të nëntorit, ai u rrethua me shirit për të njoftuar se ishte i pabanueshëm. Megjithatë, bashkia dhe strukturat e tjera shtetërore duke mos iu afruar banesa të tjera banorëve, nuk i ndaluan ata të riktheheshin tek ndërtesa e rrezikshme.

Tashmë, kur tërmeti  me magnitudë 4,9 sapo goditi ngriti alarmin tek institucionet shtetërore që të mos vazhdojnë me neglizhencën e tyre përballë jetëve të njerëzve.