Andi Bushati: Si regjimi po përdor gjykatat për të përçarë opozitën

Analisti Andi Bushati deklaroi se ka një anomali në lidhje me vendimin që gjykata duhet të marrë, për të përcaktuar se kush do ta marrë vulën e Partisë Demokratike.

Në emisionin “Now” në Euronews Albania, Bushati nënvizoi se kjo çështje, e cila mund të zgjidhej për 3 ditë, nuk po zgjidhet prej 1 viti.

Sipas tij, kjo ndodh kur vendi qeveriset nga një regjim dhe drejtësia i shkon nga mbrapa.

“Fakti që një gjë që mund të zgjidhet për 3 ditë, nuk e zgjidhim dot për 1 vit, këtu ka një anomali që nuk shkon. Këtu është mendimi im personal, përse është krijuar kjo anomali? Anomali të tilla ekzistojnë gjithmonë në kushtet e regjimeve autokratike.

Kur pushteti politik dhe kryeministri do ta mbajnë opozitën të përçarë, edhe drejtësia i shkon nga mbrapa. Jemi në këtë situatë dhe unë nga larg, ju ftoj të mos dredhojmë që e ka fajin Berisha apo e ka fajin Alibeaj. Problemi këtu është që ne kemi një regjim që po i përdor gjykatat”, theksoi ai.