Nesho: Anglia shpresa e vetme e qytetarëve, qeveria po i largon në rrugë që u rrezikojnë jetën

Diplomati Agim Nesho i ftuar në edicionin e orës 19:00 me Juli Krisafin ka treguar se shpresa e vetme për shqiptarët është Britania e Madhe.

Ai shprehet se kjo qeveri po e degradon kombin shqiptar duke e çuar atë të ndërmarrë vështirësi të cilët u rrezikojnë jetën në rrugët drejt Anglisë.

“Britania e Madhe e kupton që këtu nuk është një problem i thjeshtë, këtu është një problem që ka të bëjë me funksionimin e një shteti i cili nuk ka të bëjë me demokracinë dhe funksionimin e një shteti ligjor. Është një narkoshtet i cili prodhon jo vetëm mosbesim, jo vetëm kushte të këqija jetese për qytetarët e tij por e shikojnë Britaninë e Madhe si një shpresë për të mbijetuar. Kjo ka qënë edhe mënyra sesi anëtarët e qeverisë britanike në mënyrë të padrejtë ndaj kombit shqiptar shprehen që në fakt duhet të shprehen ndaj një qeverie që ka kapur kombin shqiptar dhe po e degradon atë deri në këto kufij që të prodhoj edhe largimin në masë të qytetarëve.

Një qytetar kuksjan, megjithëse kishte dështuar për gjashtë herë, do të provonte edhe duke menduar që mund të humbiste jetën në kanalin e La Manshit, por duhet të vinte në Angli të jetonte dhe të mbante familjen e tij. Ky është realiteti shqiptar, prandaj unë mendoj që gjithë kjo lojë, më tepër propagandistike, është që qeveria të heqë fokusin  me dizinformacion për të treguar që është e aftë të mbrojë  interesat e shqiptarëve kur në fakt është pikërisht kjo qeveri që krijon këtë krizë dhe po i largon në masë shqiptarët.”