'Po instalohet regjimi'/ Luçiano Boçi: Mazhoranca e frikësuar për të mbajtur pushtetin pas aferave korruptive
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Luçiano Boçi u shpreh në Task Force me gazetaren Sonila Meço, në Syri Tv, se mazhoranca po vuan frikën për të mbajtur pushtetin pas skandaleve korruptive.
Boçi tha se në Shqipëri po shkohet drejt instalimit të një regjimi.
"Këto veprime duket qartazi që tregojnë një mazhorancë që ka dalë nga linja e logjikës politike, e arsyes politike të menaxhimit të një pushteti të qetë dhe të menaxhimit të një demokracie polivalente që ka vlerat e saj për shoqërinë. Gjithçka ka shkuar keq e më keq drejt instalimit të një regjimi me atë frikën për të mbrojtur dhe mbajtur pushtetin për shkak të parashikimit të një penalizimi të fortë prej korrupsionit, aferave, keqqeverisjes. Kemi një tendecë në rritje që politika e mazhorancës rimarrë edhe njëherë kontrollin e politikës, jo me metoda demokratike të shpalosjes së vizioneve, të qeverisjes, por nëpërmjet metodave të menaxhimit të interesave të ngushta dhe parasë së madhe për t'i përdorur ato në mënyra të tjera dhe për të marrë më pas votën e shqiptarëve", u shpreh Boçi.