Në gusht refuzoi ta firmoste, shkresa që çoi në burg Arlind Gjokutën

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave në gusht të vitit të kaluar refuzoi të firmoste dëmshpërblimin por disa muaj më pas pranoi të lëvronte fondet. Arlind Gjikokuta mbahet ende në spital ku pritet ti nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Në gusht të vitit të kaluar Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Arlind Gjokuta nuk kishte pranuar raportin e vlerësimit të përmbaruesit privat Alban Ruli.

Në shkesën e sekuestruar nga grupi hetimor të firmosur nga Drejtoresha e Përgjithshme, në mungesë dhe me porosi të Sekretarit të Përgjithshëm, përmbaruesi informohej se kreditori, Ilir Thana është dëmshpërblyer në vitin 2015.

Më pas në shtator Sekretari i Përgjithshëm vihet në dijeni sërish nga drejtoria e shërbimeve mbështetëse dhe ajo e buxhetit të cilat shprehen në mënyrë të përsëritur se pagesa e detyrimit është kryer e plotë nga ministria e financave për Ilir Thanën në bazë të vendimit të gjykatës së lartë të vitit 2004.

Çuditërisht megjithëse ishte në dijeni, sekretari i përgjithshëm Gjokuta bashkë me drejtorin e çështjeve ligjore Fatmir Hoxhaj kanë vijuar me pranimin e praktikës dhe në muajin tetor, konkretisht më datë 11 është derdhur fillimisht shuma monetare prej 250 milion lekësh të vjetra, në llogarinë e motrës së Ilir Thanës.

Në total iu kaluan rreth 480 milionë lekë ndërsa shuma finale që prisnin ishte rreth 1 miliard e 500 milion të vjetra. 2 zyrtarët e Ministrisë së Financave u lanë në burg nga gjykata bashkë me përmbaruesin Alban Ruli dhe pritet që këto ditë të ankimojnë vendimin në Gjykatën e Apelit.

Euronews mëson se Arlind Gjokuta mbahet ende në spital atje ku pritet ti nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale për shkak të problemeve shëndetësore me zëmrën që iu shfaqën pas arrestimit.