Firmoset marrëveshja ‘Programi i Futbollit në Shkolla’ me MAS, Duka: Të afrojmë fëmijët me futbollin
Është nënshkruar sot mes Federata Shqiptare të Futbollit dhe Ministrisë së Arsimit e Sportit marrëveshja e bashkëpunimit në kuadër të projektit “Programi i Futbollit për Shkollat”, që do të realizohet me mbështetjen e FIFA-s.
Marrëveshja u nënshkrua sot përmes një ceremonie zyrtare nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, të organizuar në ambientet e MAS.
Për të implementuar këtë bashkëpunim do të ngrihet një grup i përbashkët pune që do të koordinojë programin në të gjitha fazat duke përfshirë edhe FIFA-n.
Programi do të zbatohet në 116 shkolla në të gjithë Shqipërinë, teksa numri i mësuesve dhe veçanërisht fëmijëve të përfshirë do të jetë shumë i madh.
Në prononcimin për mediat gjatë ceremonisë Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, tha se ky është një projekt shumë i rëndësishëm që bëhet për herë të parë në Shqipëri dhe se përmes futbollit mund të edukojmë më mirë nëpër shkollat e vendit brezat e rinj.
“Ju falënderoj që jeni në këtë ceremoni modeste, por shumë të rëndësishme për edukimin e fëmijëve nëpërmjet sportit. Ky është një projekt pilot, i pari në botë dhe që bëhet në Shqipëri. Është një insistim si rrallë ndonjëherë i Ministres Kushi, që në takimin që kishim për inaugurimin e ‘Shtëpisë së Futbollit’, objektivi ishte ky, që t’i kërkonte Presidentit të FIFA-s një projekt për shkollat dhe ia arriti për të gjithë fëmijët e Shqipërisë, në 116 shkolla në fillim dhe për t’u shtrirë më tej.
Futbolli nuk është thjesht kompeticion, jo thjesht një aktivitet për t’u bërë, por është shumë i rëndësishëm për edukimin e të gjithë brezave të ri. Kemi kohë që kemi insistuar që të kemi futboll në shkolla, por ja që u desh ky takim i Ministres Kushi me Presidentin Infantino për ta realizuar.
Dua të falënderoj Ministren, stafin e saj që ka punuar në bashkëpunim me stafin e FSHF-së, deri në kurorëzimin e miratimit të projektit”, u shpreh Duka.