VIDEO-SYRI TV/ Gara për Gjykatën Kushtetuese, fituese shpallet Holta Zaçaj. Zëvendëson Vitore Tushën
Holta Zaçaj zgjidhet anëtarja e re e Gjykatës Kushtetuese, e cila zëvendëson Vitore Tushën, të cilës i kishte mbaruar mandati.
Zaçaj u zgjodh pas votimit me votë të fshehtë nga anëtarët e Gjykatës së Lartë, ku përballë në garë kishte Elsa Mihan. Të dyja kandidatet morën nga 6 vota secila, ndërsa tre vota dolën të pavlefshme.
Por, kur ka balotazh midis kandidatëve në garë për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, rregullorja parashikon që fitues shpallet kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi gjatë procesit të pikëzimit.
Për këtë arsye, Holta Zaçaj u shpall fituese, ndërsa vendimi i Gjykatës së Lartë pritet t`u komunikohet institucioneve të tjera.
Por, pas zgjedhjes së Holta Zaçaj si anëtre e Gjykatës Kushtetuese, ky institucion mbetet pa kryetar, pasi Vitore Tushës i ka përfunduar mandati.
Tashmë pritet që vetë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të zgjedhin kreun e ri që do të drejtojë institucionin më të lartë të dretjësisë në vend.
Pas zgjedhjes së Holta Zaçaj, Gjykata Kushtetuese plotësohet me 9 anëtarë.