Suksesi në Superkupë si çelës për vazhdimësinë, Xavi: E donim më shumë sesa Reali këtë trofe

Për Xavi Hernandezin suksesi ndaj Realit të Madridit nuk ishte thjesht një fitore ndaj rivalëve historikë. Fitorja 1-3 i dha mundësinë atij të sigurojë edhe trofeun e parë si trajner i Barcelonës, që kur mori drejtimin e skuadrës në nëntor 2021.

Tekniku  ka folur për mediat pas takimit duke mos e fshehur kënaqësinë për triumfin në Superkupë.

“Sigurisht që ne kishim shumë më tepër nevojë për një trofe sesa Reali i Madridit. Të them të drejtën më shumë se për veten jam i lumtur për djemtë, sepse e kanë merituar plotësisht këtë trofe. Ata po punojnë kokulur çdo ditë, jam i kënaqur që po menaxhoj një grup të tillë lojtarësh”, ka thënë trajneri i Barcelonës. Më tej ai ka analizuar më në hollësi takimin, duke nënvizuar se plani ka funksionuar plotësisht.

“Gjithçka shkoi mjaft mirë. Lojtarët e kanë interpretuar në mënyrën më të mirë të mundshme atë çfarë i kam kërkuar. Gjithnjë kemi kërkuar superioritetin në mesfushë dhe në pjesën më të madhe të kohës e kemi dominuar kundërshtarin. Edhe nga krahët e kemi vënë në vështirësi Realin, ka qenë një paraqitje e kompletuar nga ana jonë”, ka thënë më tej Ksavi. Trajneri katalanas më tej është ndalur te Gavi dhe te ndikimi që mund të ketë kjo fitore në ecurinë e mëtejshme të skuadrës në kompeticionet e tjera. “Gavi është një lojtar i shkëlqyer, nuk di të tërhiqet asnjëherë. Ka bërë një paraqitje fenomenale. Unë jam i bindur se ky sukses do të na japë shtysë për të vijuar në këtë rrugë edhe në pjesën e mbetur të sezonit. Rëndësi ka që ndeshjet t’i marrim me radhë. Tani të festojmë pak orë për Superkupën dhe të mendojmë për ndeshjen e radhës që është Kupa e Mbretit”, ka nënvizuar trajneri i Barcelonës.