Dorëheqja e ministres gjermane/ BILD: Mos fajëso mediat, por veten tënde
Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, dha dorëheqjen ashtu siç ishte paralajmëruar. Por ajo fajësoi median në tekstin e dorëheqjes, duke sjellë reagimin e gazetës më të madhe gjermane, BILD. Lexoni më poshtë shkrimin e saj
BILD
Ministrja Federale e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, ka dhënë dorëheqjen ashtu siç ishte paralajmëruar! Ajo i kërkoi kancelarit Olaf Scholz që të shkarkohej të hënën.
BILD raportoi ekskluzivisht të premten se Lambrecht do të rrëzohej. Iniciativa nuk erdhi nga kancelaria, por nga vetë Lambrecht. Lajmi bëri bujë në qeverinë federale, veçanërisht te Partia Socialdemokrate.
Lambrecht donte t’i mbante sekret planet e saj për dorëheqjen. Por pasi u shfaq lajmi i BILD, kancelarit Scholz i duhej papritmas të kërkonte një pasardhës.
Në një deklaratë me shkrim nga Lambrecht, thuhet: “Fokusimi i medieve te personi im e vështirëson raportimin faktik dhe diskutimin rreth ushtarëve, ushtrisë dhe vendimeve të politikës së sigurisë në interes të qytetarëve të Gjermanisë”. Lambrecht shton më tej: “Prandaj unë kam vendosur të paraqes dorëheqjen time”.
E thënë ndryshe: Christine Lambert po fajëson mediat për largimin e saj të parakohshëm. Për dorëheqjen e saj nuk janë fajtore gabimet, skandalet apo lëshimet e saj, por ‘fokusi mediatik’ te personi i saj. Ndonjë fjalë autokritike? Asnjë...
Me dorëheqjen e saj merr fund një seri e paprecedent skandalesh.
Një fjalim i turpshëm për Vitin e Ri, skandal me blindat ‘Puma’, zbulimi i një plani sekret për dërgimin e sistemeve kundërajrore ‘Patriot’ në Poloni- ministrja e Mbrojtjes i lejonte vazhdimisht vetes të bënte gabime.
Në intervistën e parë pas marrjes së detyrës, si drejtuese e ushtrisë gjermane, ajo deklaroi në BILD se nuk i njihte gradat e ushtrisë. Pesë muaj më vonë, sërish në një intervistë ajo nuk i dinte gradat.
Kur rreth 200 mijë ushtarë rusë marshuan para kufijve të Ukrainës në janar të vitit 2022, Lambrecht njoftoi me krenari se kishte dërguar 5 mijë helmeta në Ukrainë. Një turp!
Në mesin e luftës, ministrja e Mbrojtjes preferonte të investonte për të mbrojtur veten kundër medias kritike. Për muaj të tërë ajo nuk pranonte se e kishte bërë vetë foton e djalit të saj në një helikopter të ushtrisë- derisa një gjykatë e detyroi që ta bënte këtë. Vetëm së fundmi ishte njoftuar se Lambrecht u kishte ndaluar udhëtimet gazetarëve kritikë (p.sh BILD).
Gjatë fundjavës, Bundesveri (ushtria gjermane) ndjehej e lehtësuar nga largimi i Christine Lambrecht, por ekziston një tension se kush do jetë pasuesi i saj. “Këtë herë duhet të godasin në shënjestër,” thonë ata. Motoja duhet të jetë: kompetenca para shpejtësisë. Edhe në kohë paqeje, por edhe veçanërisht tani me luftën e Rusisë ndaj Ukrainës, vetëm kualifikimet duhet të vendosin, jo barazia, përfaqësimi proporcional apo kufizime të tjera.
Vështirë se dikush flet mirë për Lambrecht. Flitet për mungesën e interesit që ajo ka treguar për detyrën dhe përgjegjësitë e saj. Shpresë jep lajmi se ministrja e padëshiruar do largohet së shpejti. Një zyrtar i ministrisë e komentoi kështu situatën e paqartë: “Zot i madh, ajo as dorëheqjen nuk di ta japë siç duhet”.