Nga sot deri më 19 janar, përkeqësohet moti në bregdet, njoftohen mjetet lundruese

Drejtoria e Përgjithshme Detare njoftoi për një përkeqësim të motit  duke filluar nga dita e sotme deri në datën 19 janar dhe ka kërkuar që mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit të marra masa për sigurinë e tyre.

 

Në njoftim thuhet: “Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike në datat 16-17-18 janar 2023 moti do të përkeqësohet duke filluar në orën 1:00 të datës 16 janar 2023 përgjatë gjithë bregdetit shqiptar.

Era do të jetë me drejtimin jug-jugperëndim në forcën 6-7bft deri 8bft 15-25m/s dhe lartësi dallge nga 1.80 deri 3.50 metra.

Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar, për lundrimin e sigurt për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit, do të jetë mbas datës 19 janar 2023, ora 16:00.

Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.