Makina zhduket në Urën e Mbrostarit, palombarët 6 orë në lumë! Asnjë gjurmë për 26-vjeçarin
Një automjet është zhdukur pa gjurmë bashkë me të zotin e saj orëve të para të ditës së djeshme.
Fillimisht u dyshua që mjeti të ketë këputur hekurat e urës në rrugë dhe të ketë rënë në lumë, por pas kontrolleve të imtësishme të Policisë dhe më pas të palombarëve, nuk është gjetur asnjë shenjë tjetër. Policia pretendon se atij mjeti, targa e të cilit është gjetur në Urën e Mbrostarit të Fierit, t`i jetë bërë me shenjë që të ndalohet dhe se mjeti nuk është ndaluar në një postbllok dhe më pas ka dyshime që mjeti nga shpejtësia e madhe të ketë rënë në ujërat e lumit.
Për më shumë se 6 orë është ndërhyrë me mjete të posaçme për të bërë të mundur gjetjen e saj apo të ndonjë pjesë, por palombarët kanë dalë pa asnjë informacion mbi gjërat e gjetura në lumë. Në afërsi të këmbëve të urës u bë me dije se u gjeten disa mbetje, por që nuk kishin të bënin me mjetin që u identifikua që ishte marrë me qira dhe se i përkiste një të riu, 26-vjeçarit Mateo L. Nga ajo që u mësua më vonë u tha se numri i telefonit të të riut dilte i fikur, ndërkohë që pas përfundimit të operacionit të kërkimit, Policia nuk dha asnjë detaj në lidhje me poseduesin e mjetit, pasi telefoni i tij ka dalë i fikur.
Ngjarja
Parmakët e hekurt të urës së Mbrostarit në Fier janë shkatërruar, një pjesë e të cilave kanë përfunduar në ujë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit të kësaj të diele, e ndërsa mbetet e paqartë nëse makina që është përplasur në të, ka përfunduar në lumë apo është larguar pas përplasjes.
Sipas burimeve, palombarët nuk kanë mundur që të gjejnë asnjë shenjë të mjetit, ndërsa kërkimet janë ndërprerë. Në vendngjarje është gjetur edhe një targë, mirëpo nuk dihet nëse i përket makinës që mund të ketë përfunduar në lumë, apo është një rastësi. Nga verifikimet rezultoi se kjo targë i përket Mateo L., 26 vjeç, banues në Fier. Grupi hetimor në terren është përpjekur që ta marrë në celular, por numri telefonit del i fikur. Në vendngjarje u tha se kanë shkuar edhe familjarë të të riut, pasi nuk kanë asnjë të dhënë për të. Dyshimet shtohen edhe më shumë për faktin se janë gjendur poshtë urës pjesë të përparme të makinës.
Palombarët e RENEA-s kanë nisur kërkimet përgjatë lumit me qëllim gjetjen e automjetit nëse ka rënë në lumë. Për shkak të rrymës së fortë, kërkimet e tyre në lumin Seman është vështirësuar. Rryma e fortë dhe thellësia e madhe i pengon për gjetjen e automjetit. Për këtë arsye, nga sa mësohet, në ndihmë të palombarëve ka shkuar një varkë, si edhe kanë kërkuar mbylljen e digës me qëllim që të bëhet e mundur ulja e nivelit të ujit.