Allegri zhgënjen Juventusin, drejtuesit mendojnë dy emra të mëdhenj për stolin
Tetë fitoret radhazi dhe vendi i dytë në Serie A, mashtruan mjedisin dhe tifozët e Juventusit. Bardhezinjtë pësuan një disfatë të paharrueshme nga Napoli me shifrat e thella 5-1 në “Stadio Diego Armando Maradona”.
Kjo disfatë që pësuan torinezët, ka zgjuar drejtuesit e klubit për të menduar një emër të ri në stolin e skuadrës. Siç raporton “La Gazzetta dello Sport”, në skenë për të zëvendësuar Allegrin, kanë dalë emrat e Antonio Conte dhe Zinedine Zidane.
Në rast se një nga këta të fundit mund të marrë drejtimin e Juventusit, investimi për ta është llogaritur nga 60 deri në 90 milionë euro.
Megjithatë drejtuesit e “Zonjës së vjetër”, për momentin do i besojnë stolin e skuadrës trajnerit 55-vjeçar. Kërkesat që Allegri të shpëtojë veten te Juventusi është kualifikimi në Champions dhe fitimi i një trofeu mes Kupës së Italisë dhe Europa League.