Londra ngjyroset e kuqe, Arsenal triumfon në derbin ndaj Tottenham

 

Derbi i Londrës së veriut mban emrin e Arsenal. “Topçinjtë” kanë mundur Tottenhamin pritës me rezultatin e pastër 2-0 dhe nis të ëndërrojë titullin e Premier League pas 19 vitesh.

Sfida nisi menjëherë e vrullshme nga ekipi i Mikel Artetas të cilët kaluan në avantazh. Bukayo Saka me një kalim të bukur dërgoi topin drejt portës së Lloris, por ky i fundit nuk mundi ta largonte dhe e dërgoi në portën e tij.

“Topçinjtë” nuk e humbën aspak ritmin me të cilin filluan ndeshjen dhe shënuan golin e dytë me Martin Odegaard. Në aksionin e këtij goli u shfaq sërish protagonist Saka që shërbeu një top për norvegjezin i cili shënoi një predhë në portën e Spursave.

Pjesa e parë e derbit të Londrës u mbyll në avantazh të Arsenalit me rezultatin e pastër 2-0. Në të dytën Tottenham u përpoq të vinte në vështirësi kryesuesit, por këta të fundit nuk e neglizhuan aspak repartin e mbrojtjes duke mos e lënë kundërshtarin të shënojë.

Triumfi sot në derbi, e pozicionon Arsenalin në vendin e parë të tabelës së Premier League me 8 pikë më shumë se Manchester City. Ndërsa Tottenham mbetet në vendin e 5-të me po kaq pikë larg zonës Champions.