Perez: UEFA gënjen, Superliga nuk zhvat para

E kanë etiketuar si “Lufta e futbollit” dhe i referohet një dokumentari ku protagonist është presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez.

Si kurrë më parë, numri një i Realit, në një bashkëpunim me produksionin për dokumentarin mbi Super Ligën Europiane, ka sulmuar ashpër dhe drejtpërdrejt presidentin e UEFA-s, Aleksandër Ceferin dhe vetë organizmin, të cilën e ka etiketuar si gënjeshtare. Perez dhe UEFA janë në një betejë ligjore për themelimin e Super Ligës Europiane. Palët janë në pritje të vendimit të Gjykatës së të Drejtës në Luksemburg.

“Super Liga nuk është një kotësi apo zhvatëse parash, Super Liga është një evolucion. Nuk mund të vazhdojmë ta lëmë futbollin të ecë në një rrugë të gabuar. Do të bënim një krim. Nëse nuk ka ndeshje argëtuese, audienca bie. Tifozët duan të shohin ndeshje kompetitive, ndeshje më tërheqëse. Në Nion nga zyrat e UEFA-s gënjejnë, sepse duan të diskretitojnë Super Ligën”, ka thënë Perez.